Basha në Top Story lë hapur derën e aleancave: Zgjedhjet pa Edi Ramën

17/11/2016 00:00

Partia që ai drejton po përballet sërish me një sfidë të parakohshme elektorale në Kolonjë, pas disfatës në Dibër. Opozita tani thotë se hashashi, bllokimi i dekriminalizimit dhe prekja e zgjedhjeve janë një trinom aq i rëndësishëm sa duhet të kushtëzojnë edhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Por cila është strategjia e Lulzim Bashës, nëse ai e ka një të tillë? Dilemat e brendshme me kundërshtarët e rinj e të vjetër?‎ Ku janë protestat e premtuara? Cili është plani tjetër që Partia Demokratike u ofron shqiptarëve si qendra e djathtë dhe përse duket se ky plan deri tani është më majtas se e majta?

Për këto dhe për të tjera çështje të aktualitetit politik, i ftuar në Top Story këtë të enjte, përballë gazetarit Sokol Balla ishte vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Intervista

Sokol Balla: E hapa duke folur për provimin e madh, atë për datën e negociatave. Risia kësaj here është që pavarësisht nga përgjigjja që do të marrim, risia duket qëndrimi që PD mban, jo ndaj procesit, por tek teknikalitetet. Ndryshe nga çdo herë tjetër në komitet mbajtët një qëndrim të ngurtë, deri sa një deputet kërkoi heqjen e një paragrafit për datën…

Lulzim Basha, kryetar i PD: Ka një absurd dhe nuk qëndron tek PD. PD ka një qëndrim të konsoliduar prej ditës time të parë si kryetar i saj; Qëndrimi i PD është i qartë, do të mbështesim pa rezerva çdo hap që çon në integrimin europian të vendit. Këtu vendosim një standard, ndryshe nga opozita e mëparshme që bllokoi statusin për 3 vite me pretekstin e Fierit. Lobuam aktivisht me pjesën dërrmuese të vendeve të BE që drejtoheshin dhe drejtohen nga partitë simotra tona. Ne besojmë që çdo hap përpara është aleat për standardet. Shton kontrollin, mundësitë dhe burimet.

Sokol Balla: Atëherë pse po dilni kundër këtë herë?

Lulzim Basha: Është sajesë e propagandës qeveritare për trushplarjen e shqiptarëve.

Sokol Balla: Megjithatë ju e keni pohuar vetë…

Lulzim Basha: Nuk është ashtu. E keni gabim! Kush e vendos rekomandimin për statusin?! Rekomandimin e bën Komisioni dhe vendimin e merr Këshilli. Parlamenti ka zero ndikim këtu. Është një gënjeshtër, propagandë e pastër qeveritare. Mes datës së rekomandimit dhe 15 dhjetorit ka patur një sesion ndër 13 sesionet, ky sesion nuk ka asnjë rol formal sa i përket rekomandimit. Ka një Komision, 7 nga Shqipëria dhe 7 nga BE. Në 13 takime vetëm 1 herë ka patur rezolutë, gjithë herët e tjera rezoluta ka dështuar dhe atëherë ka kaluar vetëm sepse u tërhoqëm ne. Këtë vit kemi kërkuar që të reflektohet gjendja e rëndë e krimit, lufta kundër drogës dhe zgjedhjet. Kjo nuk ka lidhje me hapjen e negociatave.

Sokol Balla: Po Komisioni flet për pesë prioritetet?!

Lulzim Basha: Lajmi i vetëm i mirë është që reforma në drejtësi kaloi me konsensus të plotë. Rezoluta nuk ka asnjë vlerë. Rezoluta duhet të pasqyrojë gjendjen dhe problemet e Shqipërisë dhe t’i kërkosh opozitës që të mos përdorë presionin ndaj Qeverisë, do të thotë të mos ekzistojë, ndërsa të thuash të kundërtën që kjo ishte në dorën tonë, është njësoj sikur notën ta vendosë nxënësi dhe jo mësuesi.

Sokol Balla: Ju ofrua një kompromis për rezolutën, për të hequr gjithë paragrafin që bënte fjalë për datën…

Lulzim Basha: Ajo që m’u raportua është që pati një refuzim për të reflektuar këto tre propozime, kriminalitetin, drogën dhe zgjedhjet e lira. PD ka mbajtur qëndrimin si opozitë dhe për rekomandimin jemi pro, por nuk jemi ne ata që e vendosim. Nëse do të ishte në dorën time, do ta firmosja që sonte.

Sokol Balla: Nëse më 15 dhjetor nuk e marrim, sigurisht që fajin e ka Qeveria, por ju a ndjeni përgjegjësi?

Lulzim Basha: BE do të vazhdojë të ekzistojë, ndërsa ne do të vazhdojmë të përballemi me një situatë ku krimi është shtrirë në mbarë vendin, droga po shkatërron shoqërinë shqiptare dhe paratë e saj rrezikojnë zgjedhjet e ardhshme.

Sokol Balla: Sot jeni akuzuar nga një deputet i maxhorancës se po sabotoni këtë proces?

Lulzim Basha: E gjitha kjo vjen erë si në kohën e diktaturës, ku duhet gjetur një armik. Mendon se opozita ka instrumentat për të bllokuar një proces të tillë?!

Sokol Balla: Bëhet fjalë për aksione konkrete në Tiranë…

Lulzim Basha: A nuk vjen erë si një instalacioni çiliminjsh për të shmangur problemet reale të vendit me krimin, drogën dhe zgjedhjet.

Sokol Balla: Të trija problemet janë ekzistuese afatgjata dhe nuk po marrin një zgjidhje përfundimtare. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin e ngritët ju, shkuat deri në atë pikë për të ndryshuar Kushtetutën për ta përshtatur këtë ligj sepse ishte antikushtetues….

Lulzim Basha: Dekriminalizimi sot nuk zbatohet. Kryeministri ka në dorë me ligj të shkarkojë Elvis Rroshin që rezulton i dënuar për përdhunim në grup në Itali dhe për trafik droge në Zvicër. Ka në dorë të largojë një numër anëtarësh nga grupi i tij parlamentar të verifikuar për një sërë shkeljesh. Ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet sepse janë dhjetra persona, shtyllë e një pushtetit të kriminalizuar. Jetojmë në një Shqipëri ku krimi, droga dhe politika janë bërë njësh kundër qytetarëve shqiptarë dhe ky është një problem që nuk mund të mbyllim sytë ne.

Sokol Balla: Atëherë pse po i mbyll sytë Brukseli? Përse nuk shfaqen këto shqetësime tek institucionet që ne duam të anëtarësohemi?

Lulzim Basha: Prokurorët italianë thonë që ka një lumë droge nga Shqipëria drejt Italisë. Mediat më në zë të botës thonë që droga në Shqipëri është problem dhe e lidhur me pushtetarët dhe bëhet thirrje për një hetim ndërkombëtarë për drogën. E ka thënë edhe Brukseli. Pyetja është se përse Edi Rama nuk e njeh problemin e drogës?

Sokol Balla: Si zgjidhet kjo? Qeveria juaj e njihte Lazaratin dhe e la Lazaratin.

Lulzim Basha: Në Lazarat vazhdonte kultivimi i drogës, por ne aplikuam një strategji, rrethimin. Mohuam plehrat kimike, ujërat dhe rrethimi pas prodhimit bëri të pamundur daljen e produktit nga Lazarati. Dihet që policia kur hyri në Lazarat gjeti hashash 4-vjeçar. Kur u ndërhy, ne e përshëndetëm Lazaratin, por trafikantët ikën. Lazarati kishte një problem që nuk e ka më, por e gjithë Shqipëria është shndërruar në Lazarat sot.

Sokol Balla: Po thoni që policia ka lidhje me kultivimin e drogës?

Lulzim Basha: Segmente të larta të policisë, të vendosur me dorë nga Tahiri kanë një rol të rëndësishëm për kultivimin e drogës, trafikun e saj dhe heroinës e kokainës dhe nesër ndoshta edhe armët.

Sokol Balla: Çfarë do të bëni nëse do të vini në pushtet?

Lulzim Basha: Kjo ndodhi për shkak të vullnetit për të përdorur drogën për të shpërblyer kriminelët në Parlament dhe bashki dhe të përdorur paratë në zgjedhjet e ardhshme. Problemi nuk është vetëm kanabisi. Problemi është se prokuroria italiane thotë se kanë kapur 30 tonë, thotë që është 1 e dhjeta, do të thotë 12 miliardë euro trafikohen atje. E zemë se në duart e krimit përfundojnë 10 përqind, domethënë 1.2 mld euro në duart e krimit. Me një pjesë e këtyre parave do të blihen zgjedhjet për të favorizuar gjendjen aktuale, për të ruajtur këtë status quo.

Sokol Balla: Beteja juaj?

Lulzim Basha: Të ndërtojmë një aleancë të madhe me shqiptarët. Refuzimi i qeverisë ndaj problemit të drogës demaskon komplicitet dhe ky është deduksion logjik dhe e provon këtë.

Sokol Balla: Raporti i Guardia di Finanza nuk është provë për ju?

Lulzim Basha: Është një pelivanllëk mediatik. I kam patur në zyrën time zyrtarët italianë dhe me kanë thënë që keni patur të drejtë. Nuk jemi në gjendje të themi sesa është shumëfishuar në të gjithë Shqipërinë, kështu më kanë deklaruar. Ne kemi alternativë zhvillimi për Shqipërinë duke çliruar ekonominë sepse sot mbahet peng nga një grusht qeveritarësh dhe oligarkësh.

Sokol Balla: FMN thotë ndryshe…

Lulzim Basha: FMN i referohet TAP dhe HEC të Devollit, që kanë efekt të kufizuar tek punësimi. Shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë po ikin sepse po shpërblehet krimineli dhe i korruptuari.

Sokol Balla: Edhe Doing Bussines thotë ndryshe…

Lulzim Basha: Nuk është ashtu. Janë përkeqësuar vendet e tjera, po Shqipëria është po ashtu.

Sokol Balla: Ju flisni për dekriminalizimin, por erdhët në pushtet në 2005 dhe thatë atëherë “ja ku është ky që mundi Dukën e krimit”, ndërsa sot Dukën e ke në krah në Kolonjë….

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë. Ne i njohim gabimet tona. Unë i njoh gabimet e mia. Por gabimi kryesor i yni është që rritëm hendekun me njerëzit. Ne harruam që ishim aty për t’u shërbyer njerëzve. Një pjesë nisi t’i shërbejë vetes së vet dhe oligarkëve.

Sokol Balla: Thoni emra.

Lulzim Basha: Forca ime është se i pranoj këto dhe kam reflektuar për këto. Them sot që ajo që dua të nis me shqiptarët, nuk është thjesht rrotacion politik, por të ndërtojmë një Shqipëri të punës dhe shpresës. Fakti është që kudo që shkojnë shqiptarë shkëlqejnë sepse kanë kushtet, këtu nuk shkëlqejnë. Këtë do ta bëjmë duke hapur PD si fillim.

Sokol Balla: A keni deklaruar se këto rregulla do të aplikohen gjithmonë, por jo për Sali Berishën, ai do të jetë gjithmonë deputet?

Lulzim Basha: E keni gabim. Unë kam thënë që për mua do të ishte, ndërsa vendimet për këtë i marrin forumet. Sot në Shqipëri partitë janë problemi, vendimin e marrin kryetarët. Partitë dhe mënyra sesi është ndërtuar politika është kthyer në problemin e shqiptarëve. Unë do të filloj duke ndryshuar Partinë Demokratike.

Sokol Balla: Puna është se nuk ju besojnë njerëzit…

Lulzim Basha: Unë kam nisur ta bëj këtë. Kam vendosur votën në themel të strukturave të PD. Jam i vendosur që të eci në rrugën e vlerave dhe PD do të jetë partia e parë që do të aplikojë një anëtar një votë edhe për kandidatët për deputetë. Ne do të kufizojmë pushtetin e kryetarit duke propozuar katër mandate nga dy vjet, çdo dy vjet kryetari të jetë në test dhe do ta bëj të lehtë që ata që duan të kandidojnë le të kandidojnë.

Sokol Balla: A duhet t’u besojnë njerëzit sërish?

Lulzim Basha: Për dy arsyet duhet të më besojnë, sepse pranoj gabimet që kemi bërë dhe vizioni që shpalos këtu dhe që po shpalos në gjithë Shqipërinë është vizioni që të arrijmë në një Shqipëri që ofron mundësi për të gjithë duke shpërblyer punën, talentin dhe meritën. Unë po e pranoj dhe ky problem zgjidhet duke e nisur nga kryetari i partisë, pastaj nga kufizimi i pushtetit të Kryeministrit e më pas çlirimi i ekonomisë nga monopolet.

Sokol Balla: Pse nuk shkoni tek takimi i diasporës? Mesa di ynë e keni marrë një ftesë.

Lulzim Basha: Ftesa është sa për të larë gojën sepse nëse Rama do të duhej të fliste për një platformë për diasporën, do të duhej të ftonte opozitën në hartimin e saj. Është një shfaqje.

Sokol Balla: Folët për reformimin e sistemit politik në Shqipëri, një nga gjërat është mungesa e transparencës. Përjashtimi i Mhill Fufit nga PD, nuk është shpjeguar kurrë pse? Ka diçka që po ja fshihni shqiptarëve?

Lulzim Basha: Në grupin e PD nuk ka patur persona me rekorde kriminale. Sidoqoftë ne kemi një ligj që i nxjerr ata kudo që të ishin në PS dhe PD nëse zbatohet. Në rastin e deputetit Fufi ka patur një vendimarrje të grupit që është thyer nga deputeti në fjalë dhe kjo është pasuar me përjashtimin nga grupi.

Sokol Balla: Pse nuk e përjashtuat Bregun që votoi kundër vendimit politik në komitetin në Bruksel?

Lulzim Basha: Është një gënjeshtër kjo. Nuk ka patur një vendim politik për këtë.

Sokol Balla: Çfarë sinjali i jepni elektoratit të PD, që është shtylla e opozitës sot, kur në zgjedhjet e Ersekës kandidoni me një emër të aleatëve?

Lulzim Basha: Jemi në koalicion dhe rregullat e tij diktojnë respekt të ndërsjelltë. PAA kërkoi të kandidojë një kandidat të sajin dhe ka mbështetjen e plotë të gjithë opozitës.

Sokol Balla: Në një shkrim të RD, shikoj një huazim të parrullës së Donald Trump. E keni kopjuar atë të gjithën. E mbështesni faqen e parë të RD për Trump?

Lulzim Basha: Mos i kërkoi kryetarit të komentojë gazetën. Është gazeta që komenton kryetarin dhe jo kryetari komenton gazetën. Për këtë duhet pyetur kryeredaktori dhe ai të japë përgjigje. Ne kemi forcën, ajo është e qytetarëve shembullin e kësaj force e dhanë zgjedhjet në SHBA. PD është më afër me partinë republikane

Sokol Balla: Prandaj shkuat tek konventa e republikanëve???

Lulzim Basha: Isha i ftuar tek të dyja konventat, por konventa republikane ndodhi 18-21 korriku që ishte kalimi i reformës në drejtësi.

Sokol Balla: Ju thoni se jeni ndryshe nga Rama. Rama në 2009 kërkoi votëbesim, nuk dha dorëheqjen. Çfarë do të bënte Lulzim Basha nëse PD do humbiste zgjedhjet?

Lulzim Basha: PD ka përmbushur një mision të madh në këto 25 vite në Shqipëri. Misioni në këtë dimension vazhdon, por sot kemi një mision të ri, misioni i Shqipërisë moderne ku shpërblehet puna talenti dhe ndershmëria. Rregullat do të jenë të qarta dhe padyshim PD do të vijë në pushtet në 2017 sepse ne u ofrojmë shqiptarëve një rrugë përmes të cilës të nderojnë punën dhe të mirën përballë të keqes.   

Sokol Balla: Një këshilltar i Trump e quante Ramën të korrupuar dhe në intervistë thotë, ka qenë i korruptuar dhe tani është bërë kryeministër i një mazhorance të korruptuar, pra PS-LSI. Me nje pjesë të kësaj “mazhorance të korruptuar” duket sikur flirtoni çdo ditë. Keni një qëndrim përfundimtar për këtë?

Lulzim Basha: Unë kam divorc me sistemin e vjetër dhe mënyrën sesi ka funksionuar dhe do të funksionojë. Kemi folur për aleancë me çdo forcë politike që është kundër krimit dhe drogës duke qëndruar përballë autoritarizmit dhe krimit. Aleanca jonë është më e gjerë se koalicioni ynë politik. Çdo forcë politike që del hapur kundër krimit dhe drogës e ka të hapur derën e aleancës, pastaj për koalicion kjo mbetet për t’u diskutuar.

Sokol Balla: Do merrni pjesë në zgjedhje nëse nuk bëhen këto ndryshimet makro në çështjet e zgjedhjeve dhe me Edi Ramën kryeministër?

Lulzim Basha: Janë disa arsye pse Edi Rama nuk mund të jetë kryeministri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Detyra ime është të ndërgjegjësoj sa më shumë shqiptarë që kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me ambiciet e Lulzim Bashës dhe PD, por ka të bëjë me fatet e tyre.

Sokol Balla: Do të merrni pjesë me Edi Ramën?

Lulzim Basha: Zgjedhje do të ketë dhe do të jenë të lira dhe të ndershme dhe do të jenë pa Edi Ramën?

Sokol Balla: Ju flisni për një shumicë të re nga rruga dhe deri në Parlament?

Lulzim Basha: Në të gjitha mënyrat dhe rrugët demokratike.

Sokol Balla: Latë të hapura aleancat të tjera.

Lulzim Basha: Është e kotë të pyesësh për koalicion PD me Qeverinë. PD është në opozitë me Qeverinë. LSI është në Qeveri dhe PD është në opozitë me të dyja pjesët e Qeverisë.

Sokol Balla: Megjithatë, ka një pjesë që thotë se ju nuk frymëzoni, keni diçka për t’u thënë këtyre skeptikëve?

Lulzim Basha: Një pjesë e këtyre tezave janë hedhur nga kampi i Edi Ramës. Unë jam një politikan i një tipi tjetër, përpiqem që të imponohem me forcën e mendimit. Nëse mendimi im, zgjidhjet e mia përqafohen nga shqiptarët, ndjehem përfaqësuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA