Takimi Shqipëri-BE: Negociatat në dhjetor; Greqia nuk do jetë kundër

14/11/2016 00:00

Shqipëria po bën përpjekje për të marrë që tani, në dhjetor, miratimin e vendeve anëtare për hapjen zyrtare të negociatave. Për këtë qëllim po ndihmohet nga grupi Miqtë e Shqipërisë, i ngritur me nismën e Italisë dhe Austrisë.

“Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim nga Këshilli Europian për të nisur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se janë bërë shumë reforma dhe shumë progres”, deklaroi ministri i jashtëm italian, Paolo Gentiloni.

Siç tha shefi i diplomacisë italiane, konkluzioni i takimit ishte progresi i reformave në Shqipëri dhe kryeministri Rama shpreson që në dhejtor Shqipëria të shpërblehet për arritjet e saj.

“Dëgjuam gatishmërinë e të gjitha vendeve për ta mbështetur në Këshillin Europian të dhjetorit rekomandimin e Komisionit. Është një proces që tanimë është pa kthim. Shqipëria do t’i çelë negociatat”, deklaroi Rama.

Një pikë kyçe që mbështesin vendet anëtare është roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon. “Rajoni është ende në një situatë të vështirë dhe ne i jemi mirënjohës kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për gjithë reformat e bëra në Shqipëri”, tha ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Ky ishte një rast që kryeministri Rama të përmendte se kusht i vetëm është vetting-u, duke lënë të kuptohet se nuk është asnjë nga kriteret e përmendura prej opozitës si zgjedhjet, dekriminalizmi dhe lufta kundër kanabisit.

“Nuk dëgjuam asgjë nga ato që iu propagandohen kot më kot, orë e çast, njerëzve në Shqipëri nga kazani i broçkullave që ziejnë çdo ditë”, tha Rama.

Ky takim ka shërbyer, mesa duket, edhe për të ulur tonet mes Tiranës dhe Athinës. Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias ranë dakord në Bruksel të rinisin procesin e dialogut për zgjidhjen e çështjeve konkrete.

Çështje që Ditmir Bushati beson se nuk do të pengojnë nisjen e negociatave për anëtarësim. “Unë besoj që Greqia do ta mbështesë Shqipërinë, sepse është edhe në interesin strategjik të saj, kështu që në dhjetor të hedhim një hap tjetër në procesin e integrimit në BE”, deklaroi Bushati.

Rama: BE-ja nënvizoi ecurinë mbresëlënëse të reformave

Më herët, me anë të një postimi në Facebook kryeministri Rama njoftoi se në mëngjesin e punës me vendet anëtare në Bruksel “u fol me tonet më pozitive për Raportin e Progresit dhe u konfirmua vullneti i vendeve anëtare për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave per anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

“U nënvizua nga të gjitha vendet anëtare progresi i madh që pasqyrohet në Raportin e Komisionit; ecuria mbresëlënëse e reformave; respekti i veçantë për politikën rajonale të Shqipërisë; nevoja imediate për zbatimin e Ligjit të Vetingut si premisë e mirëkuptuar apo kusht i natyrshëm për ecurinë e këtij procesi historik”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë falenderoi shefen e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini dhe Komisionerin Johannes Hahn, “dy miq të posaçëm e partnerë të çmuar të Shqipërisë në këtë proces”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA