Me iniciativë të mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, krerët e shoqatave të bluzave të bardha kanë nënshkruar një peticion, ku kërkojnë ndryshime në ligj në mënyrë që mjekët të mos burgosen.
Shkak për këtë u bë arrestimi i gjinekologut, Petrit Rexhepi dhe anestezistes Elona Burba, mjek të “Koço Gliozheni”, të cilët akuzohen për mjekim të gabuar, me pasojë vdekjen e pacientes, 15 ditë pas lindjes, në nëntor të 2014-s.
“Është momenti për të rishikuar kuadrin ligjor i cili duhet plotësuar me konceptet e gabimeve njerëzore, të cilat nuk dënohen penalisht. Por gjykohen në instanca të ndryshme”, u shpreh Arjan Harxhi, kreu i shoqatës së Infekto-Virusologjisë.
Mjeku infeksionit thotë se arrestimi i mjekëve në flagrancë është i panevojshëm, pasi mjekët nuk kanë bërë krim, por detyrën e tyre. Ndërsa ka rezerva edhe për sistemin shëndetësor.
“Shëndetësia në Shqipëri ka nevojë për shumë më tepër, më të gjitha aspektet, në drejtim të financimeve, në drejtim të rritjes së treguesve të performancës dhe të standardeve. Interesi jonë si mjek është që të përmirësojmë atë që është finalja, që është siguria dhe cilësia e kujdesit ndaj pacientit”, shton Harxhi.
Peticioni i drejtohet presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit, ministrit të shëndetësisë dhe atij të Drejtësisë.
Ndërkohë, burime për Top Channel bëjnë me dije se propozimet e mjekëve për ndarjen e gabimit mjekësor nga mosveprimi i mjekëve janë marrë parasysh nga qeveria dhe se pritet reflektimi i tyre edhe në legjislacionin shqiptar.
Top Channel