Kosovë, aksion policor kundër shfrytëzimit dhe trafikimit të femrave

04/11/2016 00:00

Policia e Kosovës ka realizuar mbrëmjen e së enjtes një operacion të gjerë të koduar “Nëntori”, gjatë të cilit janë kontrolluar 32 lokale, pas dyshimeve për veprimtari të jashtëligjshme të shfrytëzimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Operacioni është kryer nga Drejtoria për hetimin e trafikimit të njerëzve, ndihmuar nga njësitë rajonale policore, si dhe institucione të tjera në të gjithë territorin e vendit.

Pas kontrolleve të ushtruara, 6 prej këtyre lokaleve janë mbyllur nga inspektorët komunalë për mungesë dokumentacioni, ndërkohë që janë arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “pengimit të kryerjes së detyrës zyrtare”. Janë konfiskuar gjithashtu një pistoletë me 9 fishekë dhe dy thika.

Gjatë operacionit janë kontrolluar edhe 185 femra, shumica e të cilave të huaja nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedoni, por disa edhe nga Shqipëria. Atyre u janë konfiskuar dokumentet e identifikimit dhe janë udhëzuar të paraqiten në Drejtorinë e Migrimit dhe të të Huajve, pranë Policisë së Kosovës.

Top Channel