Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën në mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ditë pasi në Kuvend u zhvilluan debate të ashpra dhe të tensionuara.
Projektrezoluta e përgatitur nga shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, kaloi me 61 vota pro, asnjë kundër dhe 11 abstenime.
Në këtë rezolutë thuhet se Kuvendi i Kosovës zotohet që brenda 6 muajve do ta miratojë ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një rezolutë tjetër, e cila nuk është hedhur në votim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me arsyetimin se me këtë rezolutë duhet të ndryshohet Kushtetuta.
Ashtu siç ishte njoftuar që prej së mërkurës, Kuvendi i Kosovës, pasi zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme parlamentare mbi vlerat e luftës së UÇK-së, deputetët e të gjithë grupeve parlamentare dolën me një projektrezolutë të harmonizuar, në të cilën thuhet se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë.
Si të tillë, ata gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, thuhet ndër të tjera në rezolutë.
Top Channel