Pavarësisht skandalit të videos me komente denigruese për gratë dhe akuzat që po reshtin për ngacmime seksuale, Donald Trump mendon se kur vjen fjala te votuesit, më mirë po ecën me femrat sesa me meshkujt.
“Mendoj se sondazhet janë shumë të pasakta kur vjen fjala te gratë. Unë them se ne po ecim më mirë me gratë sesa me burrat. Kemi vendosur rekord me meshkujt dhe une dua t’i falënderoj, por po iua them se gëzojmë edhe një mbështetje shumë të madhe nga gratë, e këtë e vlerësoj shumë”, tha Trump.
Drejtuesit e fushatës së kandidatit republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit e pranuan se kanë mbetur prapa Hillary Clintonit, në një kohë kur nga votimet kanë mbetur pak më shumë se dy javë. Megjithatë, kampi i Trumpit nuk dorëzohet.
“Ne jemi prapa. Ajo ka disa avantazhe, më duhet ta pranoj, por nuk do të dorëzohemi. E dimë që mund t’i fitojmë këto zgjedhje”, tha Kellyanne Conëay, menaxhere e fushatës.
Clintoni, nga ana tjetër, e cila një ditë më parë deklaroi se nuk do t’i kushtojë më vëmendje thumbave të kundërshtarit e nuk do të lodhet t’i kthejë përgjigje, e shigjetoi gjatë një tubimi elektoral në Karolinën e Veriut e i kujtoi taksat.
“Gjatë debateve zbuluam se ai nuk ka paguar asnjë cent taksë federale mbi fitimin për 20 vite. Thotë se kjo e bën të zgjuar dhe mendon se ne të tjerët që paguajmë taksa jemi budallenj. Ndërsa unë them se dua t’i jap një mundësi që të paguajë më shumë taksa”, tha Clinton.
Me vetëbesimin se do të jetë ajo fituesja muajin e ardhshëm, Clinton po i përqëndron përpjekjet te zgjedhja e më shumë demokratëve në Kongresin e kontrolluar prej republikanëve, të cilët të mbështesin programin e saj legjislativ.
Top Channel