Siri, pas armëpushimit nisin bombardimet dhe përplasjet e ashpra

23/10/2016 00:00

Përplasje të ashpra janë raportuar në qytetin e rrethuar të Aleppos, pas armëpushimit treditor që përfundoi ditën e shtunë.

Armëpushimi i njëanshëm ishte shpallur gjatë javës së kaluar nga Rusia, e cila ka kryer sulme ajrore në mbështetje të forcave qeveritare të Bashar al-Assadit. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, rrjet aktivistësh monitorues me seli në Londër, bëri të ditur se natën e së shtunës nisën luftime dhe sulme ajrore.

Shqetësime janë ngritur gjithashtu edhe për ndihmat humanitare, të cilat mund të mos kenë mbërritur në qytetin e rrethuar gjatë armëpushimit. Observatori njoftoi gjithashtu se sulmet ajrore goditën një nga frontet kryesore të luftës në jugperëndim të qytetit, ndërsa përplasjet mes rebelëve dhe trupave qeveritare u intensifikuan në rajonet lindore të kontrolluara prej kryengritësve në Aleppo.

Një prej punonjësve vullnetarë të “Helmetave të Bardha”, grup i mborojtjes civile, tha se kishte dëgjuar bombardime të rënda dhe goditje nga snajper qysh në orët e para të përfundimit të armëpushimit.

Të premten, Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi se mungesa e garancive për sigurinë e ka detyruar atë të shtyjë planet për të evakuuar njerëzit nga qyteti për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Ndërkaq, edhe pse Rusia dhe qeveria siriane i ka bërë thirrje civilëve të bllokuar të largohen duke përdorur “korridoret humanitare”, një prej grupeve në Siri ka bërë të ditur se nuk mundet ta bëjnë një gjë të tillë.

“Askush nuk është larguar përmes këtyre korridoreve. Edhe ai numër i vogël njerëzish që tentuan, u përballën me bombardime përreth zonës në fjalë dhe nuk mundën të largoheshin”, tha Zakaria Malahifji, një zyrtar i grupit rebel “Fastaqim”.

Aleppo, dikur qyteti më i madh i Sirisë, si dhe një qendër industriale dhe tregtare, është shkatërruar thuajse totalisht që prej nisjes së luftimeve në vitin 2012. Ai është ndarë thuajse më dysh, teksa forcat qeveritare të Bashar al-Assadit kontrollojnë perëndimin, ndërsa rebelët antiregjim kontrollojnë lindjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA