
Policia e Shtetit ka bërë në orët e fundit një raportim për operacionet antikanabis në shkallë vendi.
Sipas një njoftimi për shtyp, deri tani janë zhvilluar mbi 11 operacione kundër kultivimit të bimëve në disa qarqe.
Kryesisht, njësitë e uniformave blu janë fokusuar në Shkodër, Gjirokastër, Krujë, Vlorë dhe Mat dhe në tërësi janë asgjësuar rreth 8 mijë bimë.
Rasti më i fundit ka qenë pikërisht në Mat, ku është zhvilluar një aksion i përbashkët mes Drejtorisë së Policisë së Dibrës dhe SH.Ç.B.A-së.
Aksioni është fokusuar në njësinë administrative Derjan, në territorin e fshatit Lami i Madh, ku janë gjetur dhe asgjësuar 310 bimë narkotike.
Bimët, saktësojnë burimet, janë asgjësuar me anë të djegies, ndërkohë që uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat dy persona.
Ndërkohë, policia e Shkodrës ka njoftuar në mbrëmje se ka sekuestruar rreth 50 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, 250 bimë në proçes tharje dhe 2 armë zjarri automatike, ndërsa ka shpallur në kërkim 3 persona.
Top Channel