Arben Ahmetaj zbuloi për herë të parë në Top Channel se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar në shkurt të vitit të ardhshëm.
“Nuk do të ketë një marrëveshje të re të tipit të artikullit tre, pra një marrëveshje detyruese kushtëzuese. Do të preferonim të kishim një marrëveshje të bazuar në artikullin katër, pra thjesht një monitorim dhe këshillim edhe për një arsye se reforma makrofiskale tashmë i ka njohur sukseset e veta”, tha Ahmetaj.
Qeveria kërkon më shumë hapësirë buxhetore për 2017-ën, pasi sipas saj duhet të financojë programin e reformave: “Është reforma në drejtësi, është reforma e decentralizimit, reforma e ujit dhe reforma në administratën publike, që përfshin sigurisht rritjen e pagave dhe pensioneve”.
Por, sipas Ahmetajt, marrëdhënia e re me FMN-në nuk e ndryshon vendosmërinë e qeverisë për të forcuar financat dhe ulur borxhin.
“A është e rastësishme që në një vit zgjedhor nuk shpërfillet ligji i buxhetit, nuk prishen financat publike, përkundrazi ulet borxhi, mbahet suficiti primar, vendoset deficiti më i ulët në gati 10 apo më shumë vite dhe garantohet rritje ekonomike mbi 3.5 për qind”, shpjegoi Ahmetaj.
Paralelisht, do të miratohet edhe një falje detyrimesh për biznesin, e cila fshin borxhet e pambledhme para dhjetorit 2010 dhe vendos një skemë lehtësuese për detyrimet e periudhës 2011-2014: “Nëqoftëse ka detyrim plus gjobë plus interesa, i falen gjobat dhe interesi nëse do të paguajë detyrimin”.
Për detyrimet pas 31 dhjetorit 2014 nuk do të ketë asnjë falje, veç gjobave të vendosura gabimisht nga sistemi i ri tatimor për mosdeklarimin e punonjësit të vetëm.
Top Channel