F1, Hamilton: Titulli është ende i mundur

21/10/2016 00:00

Pilotët kryesorë të skuadrave të Formulës 1 u vendosën në një rregull të ngjashëm me startin e garave kur iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në Teksas, në prag të garës në cirkuitin amerikan.

Kampioni në fuqi i botës, Lewis Hamilton ruajti qetësinë pavarësisht pyetjeve thumbuese, vetëm dy javë pasi kishte kritikuar organizatorët në pistën e Suzukës në Japoni. Hamilton u ankua për formatin e mërzitshëm në ndalesën aziatike, duke preferuar të argëtohet me fotot e pilotëve të tjerë në Snapchat, e jo të fokusohet te gazetarët. Por, u zhgënjye kush priste që në Ostin, piloti i Mercedesit të ishte agresiv.

“Do të përpiqem ta përballoj si burrë nëse niko Rosberg do të shpallet kampion. E di se nuk mund të fitoj gjithmonë, edhe pse në pozicionin ku jam tani, do të bëj të pamundurën. Ka ende pikë të mjaftueshme në dispozicion dhe titulli është i mundur”, tha Lewis Hamilton.
 
Në renditjen e përgjithshme, komandon gjermani Nico Rosberg me 33 pikë më shumë se kampioni në fuqi i botës në Formulën 1.

Top Channel