U21 mbetet pa trajner. Redi Jupit i përfundon kontrata

20/10/2016 00:00

Redi Jupi nuk është më trajneri i përfaqësueses U21. Pavarësisht rezultateve deri diku pozitive dhe pikëve të grumbulluara, më shumë se në sezonet e mëparshme, kjo nuk e ka bindur presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të rinovuar kontratën e Jupit.

E përfunduar në verën e këtij viti, Redi Jupi ka drejtuar ekipin “Shpresa” pa një kontratë, duke mbyllur sezonin futbollistik me kualifikueset e Europianit 2017. Në përfundim të tyre nuk ka pasur asnjë kontakt mes tij dhe drejtuesve të FSHF-së për të vendosur mbylljen, aq më pak vazhdimin e bashkëpunimit.

Dorëheqja nuk ka qenë një opsion për Redi Jupin, përkundrazi, në intervistën e dhënë për Top Channel pak ditë më parë, ai shprehu dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Unë mendoj se gjatë këtij viti është bërë një punë e mirë në të gjitha aspektet. Unë, përderisa e fillova dhe e mora përsipër këtë, e bëra për të çuar punën më tej”, deklaroi Redi Jupi.

Diçka e tillë nuk ka ardhur dhe, me shumë gjasë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka menduar zëvendësimin e Jupit. Janë disa alternativa për të drejtuar këtë skuadër, e mes tyre duket se është edhe trajnerit të përfaqësueses U17, Xhemal Mustedanagiç, ose ndonjë alternativë tjetër shqiptare, nisur edhe nga synimi për të mos shpenzuar shumë me një trajner të huaj në këtë hallkë të ekipeve kombëtareve.

Top Channel