Dhoma e ulët e Parlamentit rus miratoi dekretin e Presidentit Vladimir Putin për pezullimin e marrëveshjes së plutoniumit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pakti i vulosur në vitin 2000 i detyronte të dyja palët të asgjësonin tepricën e plutoniumit të përdorshëm për armë atomike.
“Vendimi për nxjerrjen e këtij dekreti dhe paraqitja e draftit të tij këtu për aprovimin tuaj lidhet me vazhdimësinë e politikave armiqësore të Uashingtonit ndaj Moskës, të cilat kane nisur shume përpara ngjarjeve në Krime dhe Ukrainë”, u shpreh Sergei Ryabkov, zv.ministri i Jashtëm rus.
Pezullimi i paktit u aprovua nga 445 prej 450 deputetëve të Dumës. Ligji pritet të hyje në fuqi në javët e ardhshme. Marrëveshja e përpara një dekade e gjysëm parashikon asgjësimin e 34 ton plutonium të aftë për armë nga secila palë.
Këto rezerva me nivel të lartë radioaktiv nga koha e Luftës së Ftohtë ishin krijuar pas përballjes se panevojshme e konsideroheshin si tejet të shtrenjta. Përpos shkakut gjeopolitik të vendimit te tij, shefi i Kremlinit, Putin citon dhe një arsye tjetër.
Uashingtoni siç thotë ai nuk e ka respektuar metodën e asgjësimit siç qe parashikuar, pra duke e përzier me uranium për ta përdorur si prodhim energjie në centrale atomike.
Amerikanet do t’i depozitojnë rezervat nën tokë, e kjo për rusët përbën problem, sepse mund të ndodhë fare mirë që SHBA t’i përdorë ato sërish.
Rusia ka rreth 130 ton plutonium të aftë për armë – shumë më tepër se fuqitë e tjera bërthamore dhe rreth 40 ton më shumë se shtetet e Bashkuara.
Top Channel