
Mungesa e “Loro Boriçit” nuk është më një problem me sa duket për skuadrën e Vllaznisë. I shndërruar në arenën e kombëtares, impianti më i madh dhe më modern i vendit vazhdon të privojë skuadrën e qytetit të Shkodrës që të zhvillojë ndeshjen e parë shtëpinë e saj.
Ndeshjet e fundit e Kosovës ndaj Kroacisë dhe Shqipërisë ndaj Spanjës, të dyja të zhvilluara nën kushte shumë të vështira klimaterike kanë detyruar specialistët që të kërkojnë një tjetër periudhë pushimi deri në ndeshjen e radhës së përfaqësueses me Izraelin më 11 nëntor.
Ndërkohë Vllaznia do t’i drejtohet sërish fushës sportive “Reshit Rusit”. Në një intervistë për Top Channel, trajneri i shkodranëve Armando Cungu sqaron se ky është një gabim i bërë me fushën, për të cilin i është kërkuar mirëkuptim.
“Normalisht që dëshira, jo vetëm e imja si trajner, por edhe e sportistëve si dhe e tifozërisë shkodrane do të ishte që t’i luanin të gjitha ndeshjet në këtë impiant të mrekullueshëm. Kjo tashmë dihet është një gabim. Gabimet njerëzore janë, e rëndësishme është që në fund të fundit ky riparim të bëhet për mirë dhe për t’i shërbyer jo vetëm Vllaznisë, por edhe ekipit kombëtar. Është një e mirë e përbashkët”, shprehet trajneri i Vllaznisë.
Megjithatë zhvendosja në fushën sportive “Reshit Rusi” edhe pse siç thotë Cungu, tashmë janë mësuar, ka efektet e saj të paktën në letër.
“Edhe në aspektin sportin, por edhe në atë ekonomik, të jemi realist, sa do pak klubi e ndjen. Në fund të fundit ne jemi mësuar pasi edhe vjet pjesën më të madhe të takimeve e kemi zhvilluar në këtë fushë”, thotë Cungu.
Vllaznia do të zhvillojë dy ndeshje në fushën sportive “Reshit Rusi” në këtë periudhë një mujore që do të kryhet ndërhyrja në “Loro Boriçi”.
Top Channel