Tërmeti me epiqendër në Janinë, dëme të lehta materiale

15/10/2016 00:00

Një tërmet me magnitudë 5.3 ballë e shkallës rihter është shënuar mbrëmjen e së të shtunës në zonën e Janinës.

Sipas institutit gjeodinamik të Athinës, epiqendra e tërmetit është 16 kilometra në veri-perëndim të Janinës, në zonën mes qytetit të Janinës dhe Kalpaqit, vetëm 20 kilometra larg kufirit me Shqipërinë.

Sipas këtij instituti, thellësia e tërmetit ishte 10 kilometra, çka e bëri lëkundjen edhe më të fortë.

Ende nuk ka njoftime për dëme në njerëz, por banorë të zonës thanë se janë dëmtuar disa godina të vjetra dhe mure rrethuese.

Lëkundja është ndjerë në gjithë veriun e Greqisë, deri në Shqipëri.

Policia e Janinës njoftoi se ka dërguar në zonë patrulla policie për të verifikuar situatën dhe nëse ka dëmtime në njerëz. Prefektura e Janinës njoftoi se ka vënë në alarm spitalet e zonës, për t’i ardhur në ndihmë çdo personi që ka nevojë dhe  se me të zbardhur dita në zonë do të dërgohen ekspertë për të vlerësuar në terren situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA