LSI-ja ka disa propozime për Kodin e ri Zgjedhor, ku në disa pika mbështet propozimet e demokratëve e në disa të tjera ato të socialistëve.
Për herë të parë, teksa përmend faktorin kohë në limitet e tij, Ilir Meta mbështet kërkesën e demokratëve për një parlament më të vogël, sikurse përsëriti apelin për respektimin e procesit të dekriminalizimit. Por, LSI-ja ka disa kërkesa të reja, përveç asaj për lista të hapura.
“Një problem tjetër që unë e kam thënë dhe në rast se do të jem kryetari i LSI-së do ta kem në konsideratë, është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në Parlament. Mund të mos jetë me probleme që kanë të bëjnë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në Parlament dhe poste publike është një problem. Edhe tjetra që mendoj unë, duhet parë se numri i deputetëve ndoshta është më i madh seç duhet. Edhe me reformën administrative nga 400 e ca njësi kaluam në 60 e ca njësi dhe menduam se ishte një hap i domosdoshëm. Duhet pra diçka edhe tek Parlamenti sepse kjo duhet të ndihmojë në një funksionim të mirë të Parlamentit, edhe një cilësi të mirë të funksionimit të komisioneve”, deklaroi Meta.
Ilir Meta foli për transparencën e financimit të fushatave zgjedhore, duke mos shprehur mbështetje hapur as për propozimin e demokratëve për financim 100% nga shteti, por as për financimin miks, propozuar nga socialistët. Këtu, Meta ftoi partitë të marrin shembull nga LSI-ja, që transparencën e bën me vullnet të lirë: “Merrni shembull nga LSI-ja që prej më shumë se një viti e bën vetë transparencën e financimit të partisë dhe këtë mund ta vërtetoni në faqen e internetit”.
Me ndryshimin e kodit aktual zgjedhor, që sipas Ilir Metës ka shumë defekte, kreu i LSI-së pati edhe një paralajmërim: “Askujt mos t’i shkojë mendja për të tentuar blerjen e votës, të bëjë presion ndaj votuesve për një vend pune apo për të ikur nga vendi i punës. Duhen marrë masa që askujt mos t’i shkojë ndërmend të cënojë lirinë e votuesve”, u shpreh Meta.
Top Channel