Basketboll, CSKA e Moskës mposht Gallatasarajin

14/10/2016 00:00

CSKA e Moskës e nis mjaft mirë mbrojtjen e titullit kampion të Evropës në basketboll për meshkuj. Skuadra ruse shënoi fitoren e parë në këtë sezon të ri të Euroleague teksa mposhti Gallatasarajin me rezultatin 109-84.

CSKA e Moskës e dominoi sfidën nga fillimi deri në fundin e saj ku më të mirët e kësaj skuadre ishin Nando Decolo dhe Milos Teodosic që e mbyllën takimin respektivisht me 24 dhe 20 pikë personale. Për Gallatasarajin, Sinan Guler shënoi 21 pikë, por nuk mundi dot të ndihmojë skuadrën e tij të përballojë furinë ruse.

Më e ekuilibruar ishte sfida mes Emporio Armanit dhe Maccabi Telaviv e fituar nga skuadra italiane me rezultatin 99-97.

Emporio Armani arriti të bëjë diferencën në parket në periodën e tretë dhe të katërt kur krijoi edhe shkëputjen e mjaftueshme nga izraelitet për të mbyllur këtë sfidë në favorin e tij.

Ricky Hickman ishte në një ditë të shkëlqyer për Emporio Armanin teksa shënoi 32 pikë, ndërkohë që për Maccabin 33 pikët e Andrew Goudelock nuk mjaftuan për të evituar disfatën.

Në ndeshjen tjetër të Euroleague, Crvena Zvezda u mund nga skuadra turke e Darusafaka 70-73.

Top Channel