Vrau me thikë kushëririn, prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

13/10/2016 13:35

Burgim i përjetshëm ka qenë pretenca e prokurorisë ndaj Granit Shehut, i shpallur në kërkim dhe i akuzuar se ka vrarë me paramendim djalin e xhaxhait të tij, Milazim Shehu, inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, shtatorin e vitit të kaluar.

Sipas fakteve të renditura nga prokurori, i akuzuari për këtë krim e ka qëlluar plot 12 herë me thikë viktimën në pragun e banesës së këtij të fundit, duke i shkaktuar vdekjen. Sikur të mos mjaftonte ky fakt, është tentuar që plagët e shkaktuara me thikë t’i deklaronin në spital sikur janë shkaktuar nga kafshimet e një qeni.

Dëshmitarë okularë, të afërm të viktimës dhe autorit të dyshuar kanë treguar se fillimisht dy kushërinjtë kanë debatuar, pasi autori e akuzonte viktimën se vajza e tij i kishte marrë një sasi lekësh në shtëpi. Por, prokuroria dyshon se shkaku i vërtetë i këtij krimi mund të ketë lidhje me një tjetër ngjarje të ndodhur në vitin 2012, kur ka humbur jetën babai i autorit për çështje pronësie.

Për këtë ngjarje, Granit Shehu ka akuzuar djalin e xhaxhait Milazimin që nuk kishte vepruar si isnpektor i IKMT-së. Kërkesa për burgim të përjetshëm ndaj Granit Shehut konvertohet në 35 vite, pasi ndaj tij u zhvillua gjykim i shkurtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA