
Ish-presidenti polak Lech Walesa, prej një kohe të gjatë kundërshtar i udhëheqësisë aktuale të Polonisë, tashmë nuk do të ketë me vete sigurinë e ofruar nga shteti kur të udhëtojë jashtë kufijve të vendit.
Byroja qeveritare për Mbrojtjen, e cila ofron truproja për zyrtarët aktualë të shtetit, por edhe ata që kanë qenë dikur, bëri të ditur se nuk do ta mbrojë më Ëalesën gjatë udhëtimeve të tij të jashtme. Ky i fundit shprehet se veprimi ka motive politike.
Sipas byrosë në fjalë, ky rregull do të aplikohet edhe për ish-presidentët e tjerë që jetojnë ende, Bronislaw Komorowski dhe Aleksander Kwasniewski.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Natalia Markiewicz tha se agjencia thjesht sa po zbaton ligjin, që u jep të drejtën ish-presidentëve të shoqërohen me vetëm një truprojë ndërkohë që janë në Poloni. Ajo shtoi se, drejtorët e agjencië në fjalë kanë shkuar përtej asaj që kërkohej ligjërisht, pasi “gjenerohen kosto të larta në përpjestim të zhdrejtë me kërcënimet”.
Walesa, i cili e ka konsideruar humbjen e sigurisë shtetërore si një hap të madh, tha për rrjetin televiziv “TVN24” se beson që vendimi është politik, por gjithsesi “do t’ia dalë edhe kështu”.
73-vjeçari Walesa udhëton shpesh jashtë shtetit, kryesisht për të dhënë leksioni me rolin e tij historik në rënien e komunizmit në Europën Lindore. Ai ka qenë dikur elektriçist në kantierin detar të Gdanskut dhe në vitet ’80 udhëhoqi një lëvizje masive protestash të quajtur “Solidariteti”, që luajti një rol të rëndësishëm në rënien e komunizmit.
Në ditët e sotme, ai është shfaqur një kritik i ashpër ndaj partisë në pushtet “Ligj dhe Drejtësi”, e udhëhequr nga Jaroslaw Kaczynski, dikur aleat i tij por që prej vitesh është kthyer në kundërshtar. Kaczynski është konsideruar gjerësisht si udhëheqësi më i rëndësishëm i Polonisë, apo fuqia e vërtetë pas qeverisë dhe presidencës.
Edhe pse Walesa vlerësohet nga shumëkush si një ikonë e demokracisë, Kaczynski dhe shumë të tjerë në partinë në pushtet e konsiderojnë atë si bashkëpunues të policisë sekrete të epokës komuniste, përpara se të udhëhiqte lëvizjen e “Solidaritetit”. Një akuzë që Walesa e mohon.
Top Channel