Ushtria amerikane bombardoi tre vendndodhje radarësh në Jemen, pasi një luftanije amerikane u sulmua me raketa për herë të dytë brenda pak ditësh në Detin e Kuq.
Pentagoni tha se vlerësimet paraprake tregojnë se u shkatërruan tre radarë që ishin të implikuar në sulmet ndaj anijes amerikane. Zyrtarë amerikanë deklaruan se raketat kundër anijes u lëshuan nga territori i Jemenit që kontrollohet nga rebelët huthi dhe që mbështeten nga Irani. Mësohet se kundërpërgjigjja amerikane u autorizua nga presidenti Barack Obama.
Ushtarakë amerikanë thanë se përdorën raketat tomahawk në operacionin që u krye nga një “destrojer” amerikan. Sipas Pentagonit, sulmet e kufizuara për vetëmbrojtje u bënë për të garantuar sigurinë e personelit ushtarak si dhe lirinë e lundrimit. Në komunikatë gjithashtu shkruhet se SHBA do t’i përgjigjet pa hezituar çdo kërcënimi tjetër të ngjashëm.
Sulmi amerikan u krye vetëm pak orë pasi një raketë shënjestroi destrojerin USS Mason, i cili ishte në objektiv edhe të dielën. Më herët, zëdhënës të rebelëve huthi thanë se nuk kishin kryer asnjë sulm ndaj anijeve amerikane. Në të njëjtin kuadër, SHBA nuk tha se kujt i përkisnin bazat e radarëve të shkatërruar, por theksoi se gjendeshin në territorin e kontrolluar nga rebelët.
Top Channel