
Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, i cili do të gjykohet për korrupsion pasiv.
Për shkak të detyrës, thotë Prokuroria, ish-kryebashkiaku ka kërkuar të përfitojë favore seksuale nga një shtetase, në këmbim të një vendi pune në këtë bashki.
Ndonëse i pandeheuri nuk e ka pranuar akuzën me pretendimin se nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e tij, prokurorët thonë se administrojnë në dosje prova që flasin për të kundërtën.
Me këtë argumentim janë radhitur dëshmia e vajzës, të cilës i janë kërkuar favore seksuale dhe procesverbalet e këqyrjes dhe marrjes së provave në të cilat shfaqet i filmuar Shukri Xhelili, skandal ky i denoncuar në një emision investigativ.
Sipas provave, thotë Prokuroria, Shukri Xhelili në cilësinë e kryetarit të Bashkisë ka lënë takim me vajzën me qëllim kryerjen e marrëdhënieve intime, kundrejt një vendi pune.
Provat tregojnë më tej, shprehet prokurori i dosjes, se në datën 13 prill, Xhelili është takuar me shtetasen A.A. dhe më pas janë drejtuar për në hotel. Çdo veprim i tij është regjistruar nga vajza, por prokuroria vëren se megjithë hetimet e kryera, nuk është gjetur telefoni konkret për shkak se vajza ka deklaruar se nuk e ka më këtë aparat.
Top Channel