Partia Republikane është në kaos vetëm pak orë para debatit të kandidatëve për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidati i tyre Donald Trump ka mundësinë e fundit për të shpëtuar fushatën e tij, edhe pse korit republikan që e do jashtë i janë shtuar shumë zëra, ndër të cilët Condoleezza Rice apo John McCain.
Në mbrojtje thotë se s’mund t’i dalë as kandidati për zëvëndëspresident, Mike Pence. E shoqja, edhe vetë objekt i komenteve, e ka kritikuar, por ka kërkuar që të gjithë ta falin, siç ka bërë ajo.
Edhe pse ai kërkoi falje të shtunën dhe tha se nuk do të heqë dorë nga gara, skandali thellohet me publikimin e komenteve seksuale eksplicite në një seri intervistash radiofonike, ku Trump dëgjohet të komentojë edhe trupin e së bijës, Ivankës, si dhe thotë se kur një grua mbush 35 vjeç është koha që ai t’i japë fund lidhjes.
Në të gjithë këtë kaos, rivalja demokrate ka qëndruar e heshtur dhe pritet që ajo të flasë për këto komente gjatë debatit të dytë televiziv në Uashington. Edhe asaj ndoshta do t’i kërkohet të flasë për të shoqin Bill, pasi Trump mund t’i përdorë të kaluarën për ta sulmuar. Gjithsesi, analistët presin që ajo të japë sot dhe goditjen e knockout-it kundër rivalit. Vështirësia e debatit të dytë qëndron në llojin e formatit, ku kandidatët flasin përballë një publiku me votues të pavendosur, të cilët me pyetjet rreth sjelljes së tyre mund t’i vënë me shpatulla pas murit kandidatët.
Top Channel