
Një person është dëmtuar si pasojë e përfshirjes së banesës së tij nga flakët. Armando Ferko 57 vjeç, banor në lagjen 16 të qytetit të Korçës është dëmtuar rëndë si pasojë e djegieve të marra gjatë kohës që banesa e tij u përfshi nga flakët.
Sipas të dhënave shkak i zjarrit duket se ka qenë pikërisht një pakujdesi e tij pasi ekspertët kanë konkluduar se ka qenë një cigare e ndezur e cila ka rënë në divan shkaku që ka nisur zjarrin.
Edhe pse i ndodhur në banesë në momentin kur flakët përfshinë çdo gjë, 57 vjeçari e ka pasur të vështirë të dalë jashtë për shkak se ishte invalid dhe është dashur mbërritja e forcave të zjarrfikëses për ta nxjerrë atë nga apartamenti në katin e 5-të ku jetonte i vetëm.
Sipas të dhënave në apartamentin ku ra zjarri gjithçka është shkrumbuar, por fatmirësisht zjarrfikësit kanë arritur të izolojnë flakët pa rrezikuar banorët e tjerë të pallatit.
Top Channel