Debati i parë presidencial Clinton-Trump u ndoq nga 84 milionë vetë në televizionet amerikane, duke thyer rekordin e vendosur përpara 36 vitesh. Përballja e Jimmy Carter me Ronald Reagan në vitin 1980 pati tërhequr atëherë 80.6 milionë shikues.
Dhe shifra zyrtare e debatit të së hënës llogarit vetëm ata që e ndoqën në 13 kanale televizive amerikane, të cilat e transmetuan “live” betejën e dy kandidatëve, çfarë do të thotë se numri real i ndjekësve mund të jetë shumë më i lartë se kaq, pasi miliona njerëz mendohet ta kenë parë në të gjithë botën përmes internetit, apo nëpër bare.
Mbështetësve të tij, miliarderi njujorkez iu tha se e dinte që debati do të kishte “njërën prej audiencave më të mëdha në të gjithë historinë e televizionit”.
“Thjesht mora frymë thellë, – rrëfeu ai, – dhe mendova sikur do të isha duke folur me familjen time. Bllokon emocionet, kaq”.
Përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit, rivalët e mëdhenj do të përballen edhe dy herë të tjera në televizion në datat 9 dhe 19 tetor. Por kush e fitoi debatin e parë? Sondazhet e fundit janë të ndara, megjithatë rezultate të tjera pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
Clintoni vet e bëri të qartë ndjesinë që pati në sallën e Universitetit të “Hofstra”-s në Nju Jork.
“Mendoj se debati nxori në pah dallimet e thella mes meje dhe zotit Trump”, ishte komenti i saj. “Sjellja e tij e rrëmbyer, temperamenti i tij, ishin aty në sytë e të gjithëve. Gjithkush mund ta nxjerrë përfundimin vet”.
Biznesmeni, nga ana tjetër, pretendon gjithashtu se ka dalë mirë, por u ankua për mikrofonin dhe moderatorin Lester Holt, që – sipas tij, – nuk e kishte ngacmuar Clintonin sa duhet për skandalet e saj.
Top Channel