Champions, Atletico mund Bayernin, përmbys Barcelona

28/09/2016 00:00

Në “Vicente Calderon” feston Atletico e Madridit. 5 muaj më pas skuadra e Diego Simeones mposhti sërish me rezultatin 1-0 Bayernin e Mynihut duke u ngjitur në krye të grupit D, të UEFA Champions League. Pasi eliminoi Bayernin e Guardiolës nga gjysmëfinalet e Championsit një sezon më parë, El Cholo Simeone fitoi edhe duelin personal ndaj Carlo Ancelottit.

Belgu, Yannick Ferreira Carrasco me një goditje të bukur i dha avantazhin Atleticos në minutën e 35-të. Los Colchoneros mund të kishin dyfishur shifrat në të 84-tën por Griezmann goditi shtyllën nga 11-metra distancë, pas një penalltie të akorduar në favor të Atleticos për një faull të Vidal ndaj Filipe Luis.

Ndeshja tjetër e Grupit D mes rusëve të Rostovit dhe PSV Eindhovenit përfundoi në barazim 2-2.

Në Grupin B, kryeson me pikë të plota Napoli që kaloi lehtësisht në “San Paolo” Benficën me rezultatin 4-2. Marek Hamsik, Mertens me një dygolësh dhe Milik i çuan shifrat në 4-0 në favor të skuadrës së Sarrit ndërkohë që në fund për Benficën realizuan Guedes dhe Salvio duke e bërë më pak të dhimbshme këtë humbje.

Tjetër barazim për Beshiktashin. Në Stamboll skuadra turke u ndal me rezultatin 1-1 nga Dynamo e Kievit me Tsygankov që iu përgjigj avantazhit provizor të Ricardo Quaresmas.

Në Grupin C, Barcelona pa Lionel Messin të dëmtuar fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Borussia Moenchgladbach. Në “Borussia Park”, Thorgan Hazard kaloi
fillimisht në avantazh vendasit përpara se Arda Turan dhe Gerard Pique me golat e tyre ti jepnin fitoren e dytë dhe vendin e parë në grup Barcelonës.

Ngeci në një barazim 3-3 Manchester City në transfertën skoceze ndaj Celtic me skuadrën e Guardiolës që e pa veten në disavantazh në 3 raste por rikuperoi gjithçka me golat e Fernandinhos, Sterling dhe Nolitos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA