Debati i parë mes Hillary Clinton dhe Donald Trump pati mjaft energji dhe substancë përsa i takon çështjeve si ekonomia dhe tregtia. Por, dy kandidatët u kritikuan pasi nuk folën për çështje të tjera thelbësore, mes të cilave si do të sillet presidenti i ardhshëm në rolin e komandantit të përgjithshëm.
Mjafton të themi se fjala Afganistan thuajse nuk u përmend fare gjatë debatit, veçse nga Clinton si shembull i bashkëpunimit të NATO-s. Kjo është një amnezi e çuditshme, duke qenë se Afganistani është lufta më e gjatë e SHBA dhe ndërsa raportohet se talebanët kontrollojnë 30% të territorit të vendit. Dy kandidatët nuk thanë nëse presidenti i ardhshëm do të vazhdojë të tërheqë trupat nga Afganistani apo nëse situata kërkon një prani më afatgjatë. Në fund të fundit, askush nuk dëshiorn të shohë atë që ndodhi në Irak, ku pas tërheqjes së vitit 2011, u shfaq Shteti Islamik, i cili gjendet edhe në Afganistan.
Emigracioni ishte një tjetër temë që Clinton dhe Trump nuk e prekën fare. Gjatë fushatës, miliarderi ka dhënë ide kontradiktore si muri në kufirin meksikan, ndalimi i hyrjes së myslimanëve në SHBA dhe i njerëzve nga vende që kanë probleme me terrorizmin. Por, a përfshin kjo edhe francezët? Dy kandidatët i harruan këto tema, rrjedhimisht nuk u dha as ideja e secilit prej tyre për zgjidhjen e problemit të 11 milionë refugjatëve pa dokumenta në SHBA.
Siria, kriza më e rëndë humanitare që pas Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu nuk bëri pjesë në debatin presidencial. Tejet e çuditshme, duke qenë se bombardimet e ditëve të fundit në Alepo po krahasohen me ato të Dresdenit në Luftën e Dytë Botërore, kaq i madh është dëmi që po shkaktojnë në qytet avionët rusë dhe sirianë. Analistët thonë se dy kandidatët duhet të flasin patjetër për këto tema në debatet e ardhshme, përndryshe që të dy rrezikojnë të humbasin besueshmëri.
Top Channel