Pa u shuar ende euforia e rizgjedhjes së liderit të deritanishëm laburist, Jeremy Corbyn, në krye të partisë më të madhe të opozitës në Britani dhe partisë më të madhe politike në Europën perëndimore, me mbi gjysmë milion anëtarë, një sondazh tregon se afro gjysma e mbështetësve të laburistëve mendojnë se partia e tyre, kurrë nuk ka për të fituar zgjedhjet e përgjithshme, pas rizgjedhjes së Corbyin në krye të kësaj force politike.
Sipas sondazhit të stacionit të madh informativ televiziv “Sky Data”, 45 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk mendojnë se laburistët do të fitojnë, nëse Corbyn fiton ndërsa 44 për qind thonë se një gjë tille ka mundësi.
Parashikimi i tyre ishte më i errët në një plan afatshkurtër, ku 59 për qind thanë se laburistët nuk ka gjasa të fitojnë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Sipas sondazhit të kryer në korrik, 6 në 10 mbështetës laburistë thonë se një përçarje e Partisë Laburiste britanike kishte gjasa të ndodhte me fitoren e Corbyn.
Mbështetësit e laburistëve janë të mendimit se partia e tyre nuk ka gjasa të fitojë zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht nga kandidati për udhëheqës që do fitonte, çka është një opinion i përhapur gjerësisht në vend.
Të pyetur nëse do të përzgjidhnin një Parti Laburiste të ngjashme me modelin e partisë që drejtohej nga ish-kryeministri Tony Blair apo të një versioni majtist, i ngjashëm me ato të vitit 2011 të quajtura Lëvizja Occupy, 58 për qind parapëlqejnë masivisht modelin e Partisë së re Laburiste të Blairit, të qendrës së majtë dhe jo një të ekstremit të majtë.
Rizgjedhja e Jeremy Corbyn në rast se nuk gjendet gjuha e kompromisit me grupin parlamentar, ka gjasa që të çojë në një ndarje të Partisë Laburiste e krijuar në vitin 1900. Sondazhet politike në Britani gjatë kohëve të fundit nuk kanë rezultuar të sakta, ndërkohë që ato parashikuan në fakt fitoren e Corbyn në garën për lider të kësaj partie.
Top Channel