Raporteri i Shqipërisë në Parlamentin Europian beson se dërgimi i ligjeve të reformës në Gjykatën Kushtetuese e vështirëson një vendimmarrje pozitive të Komisionit Europian në fund të tetorit për të rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Knut Flekenshtajn e dha këtë konsideratë të tijën në një seancë dëgjimore të Komisionit të Integrimit me ish-kancelarin gjerman Gerhard Shreder.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, por Top Channel mësoi se Knut Flekenshtajn e ka dhënë këtë përgjigjie duke mbrojtur tezën se Shqipëria duhet t’i japë Komisionit Europian prova të forta se ajo do ta zbatojë reformën në drejtësi, duke mos e penguar atë me sulmin ndaj ligjeve të reformës në Gjykatën Kushtetuese.
Flekenshtajn nuk e përmendi, por referenca duket se është e qartë për vendimin e Partisë Demokratike për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vettingut.
Të njëjtën kërkesë, por për të tjera arsye, bëri të premten edhe ambasadori amerikan. Megjithatë, deri tani vendimi i opozitës është i pandryshuar për ta dërguar ligjin e Vettingut në Kushtetuese.
Paralelisht me këtë, opozita ka bojkotuar punën në Komisionin e Reformës në Drejtësi, i cili ka vendosur sërish të shtyjë miratimin e paketës me 6 ligje.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, 6 ligjet janë shtyrë për në 6 tetor, Por askush nuk konfirmon nëse ka përpjekje të reja për arritjen e ndonjë marrëveshjeje me opozitën.
Top Channel