
Momente tmerri, siç ishte ai i përmbysjes së një anijeje të mbushur me emigrantë në brigjet e Egjiptit më 21 shtator, lënë gjurmë të cilat nuk fashiten lehtë nga mendja e atyre që i kanë përjetuar.
Një i mbijetuar i fatkeqësisë që kushtoi 400 jetë njerëzish, i identifikuar vetëm si Mutawali, tregoi për “China Central Television (CCTV)” sesi e kishin çuar deri tek anija me motoskaf.
“Kishte njerëz që ndodheshin aty prej ditësh të tëra dhe pas nesh vazhduan të sillnin edhe të tjerë. Motoskafi u largua shpejt pasi na hodhi në anije. Nuk kaloi shumë dhe ajo nisi të anohej, sepse ishte e tejmbushur me njerëz. Atëherë menduam të hidheshim në det e të inkurajonim dhe të tjerët ta bënin një gjë të tillë, që të shpëtonim anijen. Fatkeqësisht, anija në fund u mbyt, bashkë me njerëzit brenda. Ishte një llahtar”, tha Mutawali, i mbijetuar.
Mutawali është njëri prej 175 emigrantëve, që u shpëtuan nga ai ferr, ku humbi gruan dhe fëmijët. Siç pohon dhe vet, ai ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun që bart udhëtimi me një anije trafikantësh, por jeta e vështirë e ka detyruar t’i hyjë asaj rruge. Që prej janarit të këtij viti, në ujërat e Mesdheut kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur më shumë se 3.200 refugjatë.
Top Channel