Athina është kthyer sërish në arenë përleshjesh mes anarkistëve dhe forcave të rendit.
Sikundër ndodh shpesh gjatë fundjavave të fundit, zona pranë Politeknikumit të Athinës ka qenë arenë e përleshjeve të natës së të shtunës, e deri në orët e para të së dielës.
Sipas policisë greke, një grup anarkistësh që ndodheshin në brendësi të Politeknikumit, në rrugën Patision, rreth orës 22 të mbrëmjes filluan të hedhin kokteil molotov dhe gurë kundër forcave të policisë, të cilat ndodheshin të stacionuara në zonë.
Pak u desh që një polic të digjej prej një bombe molotov, e cila i shpërtheu shumë pranë. Ka qenë ndërhyrja e kolegëve të tij, që shmangu tragjedinë. Policia thotë se ka ndaluar 3 persona lidhur me ngjarjen. Prej përleshjeve janë dëmtuar disa automjete dhe vitrina dyqanesh.
Banorë të zonës akuzojnë policinë se nuk po bën asgjë për vendosjen e rendit në qendër të kryeqytetit helen, pikërisht në lagjen rebele “Eksarkia”, e cila tashme i ngjan një getoje kaotike, në të cilën shteti nuk mund të ndërhyjë për të kontrolluar territorin.
Situata e tensionuar në zonën e “Eksarkias” ka zgjatur deri rreth orës 4 të mëngjesit. Në vazhdim, anarkistët janë larguar nga zona dhe situta i është kthyer normalitetit.
Top Channel