Partizani e Tirana përgatiten për përballjen në Elbasan

23/09/2016 00:00

Më pak se 48 orë nga derbi i radhës dhe të dyja kampet mbeten të gatshme për të përballur forcat për herë të parë në këtë sezon 2016/2017 të Kategorisë Superiore.

Nga njëra anë, “Të Kuqtë” vijnë në këtë ndeshje pas një paraqitjeje të mirë në Durrës me Teutën, ku morën një fitore të rëndësishme edhe për moralin, ndërkohë që, veç kësaj, statistikat mbeten në favorin e tyre, por kjo për trajnerin Sormani nuk ka asnjë rëndësi. Për të, më shumë se për tifozët, fitorja i duhet për kampionatin.

“Derbi, si në të gjithë botën, ka të bëjë me rivalitetin historik mes dy skuadrave. Do të dëshiroja shumë që gjithçka të mbetej në kuadrin sportiv. Sigurisht, duhet të mendojmë për të kënaqur tifozët tanë, por duhet të mendojmë për rezultatin në kuadër të kampionatit”, tha Sormani.

Nga ana tjetër, bardheblutë mbeten me këmbë në tokë, sipas kapitenit Erando Karabeci. Vetëm një fitore në 9 ndeshje derbi të fundit nuk tregon supermacinë e Partizanit, ndërkohë që, sipas tij, Tiranës i duhet edhe fati i munguar në ndeshjet e shkuara, veç luftës sportive për suksesin e radhës.

“Derbi zgjidhet nga episodet dhe fati. Jo të gjitha ndeshjet që kemi humbur, kemi merituar t’i humbisnim. Shpresoj që për këtë ndeshje të kemi edhe pak fat. Për këtë ndeshje nuk mjafton vetëm të luash mirë, por duhet luftuar dhe duhet fituar”, theksoi Karabeci.

Përballja e 146 mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet ditën e dielë, për herë të parë jashtë kryeqytetit. Mungesa e infrastrukturës në Tiranë për të kuqtë, i ka shtyrë ata që të organizojnë të gjitha ndeshjet pritëse në “Elbasan Arena”, aty ku do të luhet edhe ndeshja e radhës, në orën 19:00.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta