Basha: Banja është investim i qeverisë “Berisha”

23/09/2016 00:00

Ndërtimi i hidrocentralit të Banjës për kreun e opozitës është vepra që konkretizon vizionin e Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj 8-vjeçare.

“Ky vizion që përfshinte taksat e ulëta, kushtet e përshtatshme për investitorët e huaj, sigurinë për ta dhe shpalljen e energjisë si prioritet absolut, bëri të mundur që Statkraft dhe partnerët e tyre të vinin në Shqipëri dhe të merrnin përsipër një ndër projektet energjetike më të mëdha në Europë”, tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, ky projekt, bashkë me gazsjellësin transadriatik janë investime të siguruara gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe që po mbajnë gjallë investimet e huaja edhe këto 3 vjet të qeverisë “Rama”.

“I thoni Edi Ramës të zbresë volumin e investimeve të “Hidropower Devoll”, të zbresë volumin e investimeve të TAP-it dhe të na tregojë sa është shifra e investimeve që ka sjellë në Shqipëri në këto 3 vite. Është 10 herë-herë më e vogël vit për vit se sa viti më i keq i investimeve në 8 vite paraardhëse”, tha Lulzim Basha.

Kreu i opozitës thotë se investimet e vetme të Edi Ramës janë ato të klientëve të tij dhe shndërrimi i Shqipërisë në plantacion kanabisi.

“E vetmja gjë që do të kishte qenë e pamundur par Edi Ramën është  kthimi i Shqipërisë në një hambar droge dhe lidhja e paktit me mafien e plehrave”, tha Basha.

Top Channel