Gramsh, vrasje për një femër

21/09/2016 10:00

Një 30-vjeçar është vrarë me thikë mbrëmjen e së martës në fshatin Shën Mëri të Gramshit, pas grindjes me një të ri për shkak të një vajze.

Grindja ka nisur në lokalin e fshatit, ku 30-vjeçari Ardjan Mesiti ka nisur të debatojë me 25-vjeçarin Arlind Llalla për shkak të një vajze. Debati është bërë i nxehtë kur 30-vjeçari ka goditur me grusht Llallën, i cili më pas është larguar për t’u kthyer në stan, ku edhe qëndronte për t’u kujdesur për bagëtinë.

Por, duket se Ardjan Mesiti nuk do ta linte me kaq grindjen me çobanin. Ai e ka ndjekur atë, duke e arritur në rrugë dhe ka nisur ta godasë sërish.

Autori i krimit ka deklaruar në polici se nuk ka mundur të përballojë dhunën që po ushtrohej mbi të, ndaj dhe në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë biçakun dhe ka nisur ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit.
Viktima ka gjetur vdekjen e menjëhërshme për shkak të plagëve të marra, ndërkohë që i pushtuar nga paniku, autori është arratisur në male.

Policia është vënë në ndjekje të tij dhe ka mundur ta ndalojë rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.

Pas marrjes së dëshmisë së parë nga autori, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve. Pjesë e hetimeve do të jenë edhe dëshmitarët të cilët janë ndodhur në lokal në momentin e ngjarjes dhe vajza për të cilën ka ndodhur debati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA