Ambasadorja Vlahutin dhe Sokol Dervishi takohen për transportin dhe ujin

21/09/2016 00:00

Transporti dhe sektorët e ujit ishin temat kryesore të diskutuara nga Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadorja Romana Vlahutin dhe ministri i ri i sapoemëruar i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishi.

Ambasadorja Vlahutin vuri në dukje rëndësinë e përcaktimit të përparësive lidhur me nevojat në fushën e transportit. Ajo theksoi nevojën për përpjekje të mëtejshme drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis e transportit të BE-së dhe zhvillimin e një rrjeti të infrastrukturës së transportit që përputhet me përparësitë e investimeve të vendosura në kuadrin e Agjendës Rajonale të Ndërlidhjes së procesit të Berlinit.
 
“Bashkimi Evropian ka siguruar mbështetje të konsiderueshme përmes investimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore, në sistemet e ujit dhe kanalizimeve të vendit. Tanimë është shumë e rëndësishme të sigurohet qëndrueshmëria e këtyre investimeve me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe përmirësimin e aftësive për tërheqjen e investimeve”, tha Ambasadorja Vlahutin.
 
Ajo e nxiti qeverinë të vazhdojë përpjekjet për trajtimin e sigurisë rrugore, që mbetet shkak për shqetësim të madh në Shqipëri, si dhe aftësisë së kufizuar të operatorëve të ujit dhe kanalizimeve për menaxhimin dhe mbajtjen e infrastrukturës së ndërtuar përmes mbështetjes së Instrumentit të BE-së të Para Anëtarësimit (IPA). Menaxhimi i duhur i ujit është një ndër parakushtet kyçe për zhvillimin ekonomik, meqë ndikon në cilësinë e jetës të qytetarëve të zakonshëm dhe në mjedisin e biznesit të vendit, tha ajo.
 
Ambasadorja Vlahutin përsëriti angazhimin e BE-së për ta mbështetur më tej sektorin e transportit përmes një ndihme në buxhet prej 24 milionë euro gjatë tre viteve të ardhshme, që do të jepet në bazë të progresit të qeverisë për arritjen e rezultateve të miratuara.
 
BE-ja ka siguruar mbi 215 milionë Euro për sektorët e transportit dhe sistemeve të ujit dhe kanalizimeve në kuadrin e IPA I (2007-2013).

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta