
Ndeshja më e rëndësishme e javës së 4 të kategorisë Superiore do të ketë një vëmendje totale për të gjithë tifozët e interesuar dhe jo më kot do të luhet në një ditë ku nuk ka vend për asnjë përballje tjetër.
Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar kalendarin e ndeshjeve ku bie në sy se të dielën është programuar vetëm një 90 minutësh, me ethet e derbit të kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës.
“Demat e Kuq” janë të distancuar me 4 pikë nga bardheblutë dhe janë dukshëm në një formë më të mirë por pavarësisht diferencave, ndeshjet derbi kanë treguar se asnjëherë nuk mund të parashikohen. Partizani e sheh këtë përballje si një shans për të mos iu larguar vendeve të kreut ndërsa Tirana e konsideron një pikë kthese për moralin dhe renditjen që mund ta çojë në zonën e kupave.
Laçi do të presë Kukësin në orën 14:00 të së shtunës në një përballje të fortë me kurbinasit që e shfrytëzojnë thuajse gjithmonë faktorin fushë ndërsa në po të njëjtën ditë dhe orë, debutuesit e Korabit presin Vllazninë. Sfida e dibranëve do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” për shkak të dënimit të fushës.
Të shtunën do të luhen gjithashtu derbi bregdetar mes Flamurtarit dhe Teutës si dhe Skënderbeu-Luftëtari.
Java 4 – Kategoria Superiore
E shtunë, 24 shtator
14:00 | Laçi – Kukësi
14:00 | Korabi – Vllaznia
17:00 | Flamurtari – Teuta
17:00 | Skënderbeu – Luftëtari
E diel, 25 shtator
19:00 | Partizani – Tirana
Top Channel