Ulja e një avioni të vogël sportiv Piper në grykëderdhjen e Lumit Ishëm paraditen e së enjtes, riktheu debatin politik të trafikut të lëndëve nga ajri të 2014, kur një avion i ngjashëm ngeci në plazhin e Divjakës.
A është rasti i Ishmit i njëjtë me atë të Divjakës? Nga hetimet e prokurorëve, policisë dhe dëshmisë së pilotit italian mësohet se aktualisht janë nën hetim dy hipoteza, e para që është një incident i një turisti, ndërsa e dyta ajo e trafikut të lëndëve narkotike e mbetur në tentativë, që përforcohet akoma më shumë nga prania e Prokurorëve të Krimeve të Rënda, që kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Hipoteza bazohet fort tek fakti që në avion nuk është gjetur asnjë gjurmë lënde narkotike, ndërkohë që policia ka krehur zonën në një perimetër të gjerë dhe nuk ka gjetur as lëndë narkotike dhe as persona të dyshuar.
Ndërkohë, hipoteza e dytë ka të bëjë me dëshminë e pilotit italian, që nuk bind prokurorët. Ai ka deklaruar fillimisht që është ulur se ka pësuar një defekt teknik dhe më vonë që është ulur dhe gjatë përpjekjes për t’u ringritur ka pësuar defektin.
Burime jozyrtare nga prokuroria bëjnë me dije për Top Channel se ditën e premte do t’u kërkohet kompanive celulare aktiviteti telefonik në zonë për të mësuar nëse ka patur persona të tjerë e ndoshta edhe për të zbardhur ndonjë komunikim të shtetasit italian.
Në pritje të hetimeve të mëtejshme për të provuar ose jo hipotezën e dytë, piloti italian që drejtonte avionin pritet të dalë përpara gjykatës vetëm me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ngjashmëria me Divjakën
Në të dyja rastet është përdorur i njëjti tip avioni sportiv “Piper”, që janë avionë të lehtë për t’u ulur në terrene të vogla dhe për t’u ringritur sërish, por bdryshe nga Divjaka, ku u gjet edhe lëndë narkotike dhe autorët u arrestuan dhe sot po vuajnë dënimin e dhënë nga gjykata, në Ishëm nuk është gjetur asnjë gjurmë lënde narkotike.
Top Channel