
Abdellatif Baka ka thyer rekordin botëror dhe olimpik në garën e 1500 metrave T13 duke marrë edhe medaljen e arit në këtë kategori.
Por ai së bashku me tre atletë të tjerë, Tamiru Demisse, Henry Kirwa dhe vëllai i kampionit Fouad Baka, kanë kaluar vijën e finishit më shpejt se çdo atlet tjetër me apo pa probleme fizike gjatë Lojërave Olimpike të zhvilluara në Rio de Zhaniero të Brazilit.
Fituesi i medaljes së artë në garën e 1500 metrave për para-olimpikët, algjeriani Abdellatif Baka ka përshkruar xhiron për 3 minuta e 48,29 sekonda. Ndërsa kampioni olimpik për garën e 1500 metrave, amerikani Matthew Centrowitz , e ka përshkruar të njëjtën distancë për 3 minuta e 50 sekonda.
Medaljen e argjendtë e mori etiopiani Tamiru Demisse me kohën 3 minuta e 48,49 sekonda. Medalja e bronzit i shkoi kenianit Henry Kirwa me kohën 3 minuta e 49,59 sekonda. Ndërsa vëllai i Abdellatif Baka, Fouad Baka përfundoi garën i katërti me kohën 3 minuta e 49,84 sekonda.
Top Channel