
Kombëtarja gjermane i ka nisur me fitore ndeshjet eliminatore të vlefshme për Botërorin Rusi 2018 duke mundur lehtësisht 0-3 Norvegjinë në stadiumin Ullevaal në Oslo.
Me 9 gjuajtje në portë, 3 prej të cilëve të finalizuar me sukses, dhe asnjë gjuajtje në portë nga ana e norvegjezëve kjo ndeshje u duk më tepër si një seancë stërvitore e Gjermanisë, sesa një sfidë ku dy ekipet të pretendojnë kualifikimin për në Rusi 2018.
Goli i parë për gjermanët u shënua nga Thomas Mueller në minutën e 16’, ndërkohë që Joshua Kimmich dyfishoi rezultatin në limitin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë ka qenë sërish Mueller, ai i cili ka shënuar edhe golin që vulosi rezultatin final 3-0 që në minutën e 60.
Me këtë fitore Gjermania merr kreun e grupit C, me tre pikë të plota. Po aq pikë ka edhe Azerbajxhani i cili fitoi në transfertë 1-0 ndaj San Marinos.
Ndërsa ndeshja tjetër e grupit C midis Çekisë dhe Irlandës së Veriut përfundoi barazim me rezultatin e bardhë 0-0.
Top Channel