
Gabriel Barbosa, i njohur ndryshe edhe si “Gabigol”, bëhet “mollë sherri” mes Barcelonës dhe Santosit. Klubi spanjoll ka vendosur të ndërmarrë masa ligjore kundër ekipit brazilian, për shkak të mosrespektimit të kontratës, pasi “Gabigol” ishte përfshirë në tratativat për blerjen e Neymar.
Sipas kësaj kontrate, Barcelona kishte të drejtën që të merrte shërbimin e “Gabigol”, gjë që nuk ndodhi duke qenë se braziliani u transferua tek Interi. Gjithsesi kjo çështje nuk i ndryshon aspak historitë, pasi “Gabigol” ka nënshkruar një kontratë me klubin zikaltër deri në vitin 2021, ndërkohë që për kartonin e tij drejtuesit e Interit shpenzuan 29 milionë euro.
Inter e ndiqte prej kohësh Gabriel Barbosën, por skuadra që e pikasi më shpejt nga të gjitha ishte Barcelona. Në verën e vitit 2013, interesi i madh i klubit “blaugrana” bëri që Santos ta përfshijë “Gabigol” në kontratën aq shumë të diskutueshme për kalimin e Neymar në “Camp Nou”, me një klauzolë që Barcelonës i kushtoi 3 milionë euro.
Sipas medias braziliane, drejtuesit e Barcelonës kishin të drejtën për t’u lajmëruar në rast se Santosi merrte oferta nga klube të tjera për “Gabigol”. Katalanasit e morën njoftimin për ofertën e Interit vetëm më 29 gusht, kur braziliani kishte mbërritur në Itali për të kryer vizitat mjekësore, pasi kishte përshëndetur tifozët e Santosit.
Nga ana e tyre, drejtuesit e Barcelonës u kërkuan atyre të Santosit të mos vijonin me procedurat deri më 31 gusht, por dëshira tek Interi për ta blerë futbollistin ishte e madhe dhe kështu ndodhi.
Tani Barcelona po mendon ta çojë në gjyq Santosin, por Interi nuk rrezikon asgjë. Nëse katalanasit vërtetojnë se kanë të drejtë në pretendimet e tyre, atëherë maksimumi që do të përfitojnë është shifra prej 3 milionë eurosh, që ishte klauzola në kontratën për blerjen e Neymar.
Top Channel