Polici i vrarë, Dëshmor i Atdheut; mbahen homazhe në Shkodër

03/09/2016 00:00

Efektivi i FNSH Ardian Kodra, i vrarë në krye të detyrës pasditen e së premtes në Torovicë të Shkodrës, është përcjellë në banesën e fundit. Familjarët, miq, të afërm dhe kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit 50-vjeçarit.

Në ceremoninë e lamtumirës, e cila u mbajt pasditen e kësaj të shtunë, ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho.

Më herët, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me propozim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka shpallur dëshmor të Atdheut agjentin e ndjerë.

Gjithashtu, Kodrës i akordohet edhe Dekorata e Artë e Shqiponjës, e cila pritet t’i dorëzohet familjarëve para ceremonisë së varrimit, pasditen e së shtunës.

Familja e Ardian Kodrës ka pritur gjatë ditës së sotme me qindra njerëz që e kanë ngushëlluar për humbjen e njeriut të saj.

Kolegë të Kodrës do ta kujtojnë shokun e tyre si një njeri me zemër të madhe dhe i përkushtuar jo vetëm në punë e familje, por edhe në komunitet.

Top Channel