Spanja, sërish drejt zgjedhjeve. Socialistët, kundër qeverisë “Rajoy”

31/08/2016 00:00

Socialistët spanjollë do të votojnë kundër qeverisë së kryeministrit Mariano Rajoy, deklaroi në Parlament kreu i partisë Pedro Sanchez, duke lënë kështu të kuptohet se shumë shpejt mund të nisë numërimi së prapthi për zgjedhjet e treta të përgjithshme në vend.

Spanja është pa një qeveri funksionale në krye që prej zgjedhjeve të qershorit, e më parë atyre të muajit dhjetor. Partitë vendase gjenden nën një presion të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund ngërçit politik, që ka bllokuar investimet dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.

Por Sanchez dhe socialistët e tij në opozitë kanë krijuar sërish pështjellim, me refuzimin e mbështetjes së Rajoyt, të cilit i nevojitet përkrahja e kësaj partie për krijimin e një koalicioni qeverisës.

“Partia Socialiste do të votojë kundër kandidaturës së Rajoyt si kryeministër dhe do ta bëjmë këtë me bindje të plotë, në respektim të linjës së ideologjisë sonë politike, angazhimit tonë ndaj votuesve, si dhe në të mirë të Spanjës”, tha Pedro Sanchez, udhëheqës i Partisë Socialiste në Spanjë.

Partisë Popullore të kryeministrit i mungojnë 6 vende për të arritur shumicën absolute në Parlament, të cilat nuk i arrin as me mbështetjen e partisë liberale “Ciudadanos”. Rajoy thotë se dëshiron krijimin e një qeverie me bazë të gjerë, e cila të jetë e aftë të mbrojë rritjen e ekonomisë, që tani shënon ritme rritjeje nga më të lartat në Eurozonë.

Top Channel