Operacion gjigant, shpëtohen 6500 emigrantë në Libi

30/08/2016 10:35

Të paktën 6500 emigrantë u shpëtuan pranë brigjeve libiane në operacionin më të madh të këtij lloji, siç bëri të ditur Roja Bregdetare Italiane. 40 misionet e koordinuara të shpëtimit u zhvilluan rreth 20 km larg qytetit libian të Sabrathas.

Disa video shfaqën emigrantët, që thuhet të jenë nga Eritrea dhe Somalia, teksa brohorisnin apo notonin drejt anijeve të shpëtimit. Në bord kishte edhe foshnje. Të dielën, më shumë se 1100 emigrantë u shpëtuan në të njëjtën zonë. Mungesa e stabilitetit në Libi e ka kthyer vendin në një oaz për trafikantët.

Në operacionet e së hënës u përfshinë anije italiane ashtu si edhe të agjencisë kufitare të BE-së Frontex e të disa organizatave humanitare. Siç raporton Asocciated Press, emigrantët po udhëtonin në anije të tejmbushura e jo të përshtatshme për lundrim.

Vitin e kaluar, mbi një milion emigrantë, shumë prej të cilëve donin t’i shpëtonin luftës civile në Siri, mbërritën në Kontinentin e Vjetër, i cili në pamundësi për të përballuar shifrat e larta, u përfshi nga kriza e përçarjet. 

Në mars, BE arriti një marrëveshje me Ankaranë në përpjekjen për të ndaluar emigrantët të kalojnë nga Turqia në Greqi, ndërsa vendet e Ballkanit i mbyllën kufijtë për emigrantët. Si rezultat, numri i të ardhurve që përdorin të ashtuquajturin itinerari i mesdheut lindor ra në mënyrë të konsiderueshme.

Gjithsesi, emigrantët nga vendet afrikane të tilla si Eritrea dhe Somalia po përpiqen të kalojnë nga Libia në Itali. Rreth 106 mijë persona kanë mbërritur në Itali deri më tani këtë vit, ndërsa 2726 të tjerë kanë humbur jetën. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, mbi 275 mijë emigrantë në Libi janë në pritje të udhëtimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA