
Nën praninë e krerëve më të lartë të shtetit italian, presidentit Sergio Mattarella, kryeministrit Matteo Renzi dhe presidentëve të dy dhomave të Parlamentit italian, Pietro Grasso e Laura Boldrini, kanë nisur pasditen e kësaj të marte edhe funeralet e viktimave të Amatrices nga tërmeti shkatërrimtar i 24 gushtit, ku ka qenë pjesëmarrëse edhe kryebashkiakja e Romës, Raggi.
Në ceremoninë e përbashkët kanë qenë të pranishme arkivolet me trupat e 28 prej atyre që humbën jetën si pasojë e lëkundjeve, pasi prindër apo të afërm të 9 viktimave të tjerë kanë preferuar zhvillimin e ceremonive private dhe trupat e tyre janë tashmë në varreza.
Në atë që përshkruhet si funeral shtetëror, gjithçka ka nisur me leximin e emrave të të 37 viktimave, gjë që ka zgjatur për plot 8 minuta, në fund të të cilave turma e pranishme ka nderuar me një duartrokitje të gjatë.
“Tërmeti nuk vret, vrasin veprat e njeriut”, është shprehur peshkopi i Rietit, monsignor Domenico Pompili. Ritet e varrimit janë zhvilluar nën një çadër gjigante të ngritur në oborrin e kolegjit “Don Minozzi”, për shkak se moti u kishte rezervuar viktimave një funeral nën reshjet e shiut.
“Zoti nuk mund të përdoret si kokë turku, – ka shtuar më tej peshkopi. – Përkundrazi, ai na fton të shohim drejt atij drejtimi të vetëm si shpëtim i mundshëm. Në realitet, pyetja se ‘Ku është Zoti’ nuk duhet bërë pasi ndodhin ngjarjet, por gjithmonë përpara për të interpretuar jetën dhe vdekjen”.
Për të vijuar më tej me atë që mund të konsiderohet edhe si kritikë apo denoncim. “Të themi të vërtetën, tërmeti e ka gjenezën e tij diku tjetër. Tërmetet kanë ekzistuar që prej vet ekzistencës së Tokës dhe kur njeriu nuk ishte veçse një grup qelizash. Peizazhet që ne shohim dhe që na mahnisin me bukuritë e tyre kanë ardhur pikërisht si pasojë e tërmeteve. Malet e kanë origjinën nga ngjarje të tilla dhe përmbajnë në to elementin thelbësor për jetën e njeriut: ujin e freskët. Pa tërmetet nuk do të ekzistonin malet, e ndoshta as njerëzit apo format e tjera të jetës”, ka theksuar peshkopi.
Rindërtimi, sipas tij nuk duhet të jetë pjesë e “luftës politike”, apo një formë “zhvatjeje” ndaj natyrës, por duhet të na bëjë të rijetojmë bukurinë për të cilën jemi të detyruar të veprojmë si kujdestarë. “Nuk do të mjaftojnë ditë, por duhen vite. Mbi të gjitha kërkohet një cilësi të cilën e trumpeton Jezusi, zemërbutësinë”.
Për zbukurimin e arkivoleve janë hedhur lule të shumta, e sidomos për fëmijët që humbën jetën si pasojë e tërmetit.
Top Channel