Spanjë, shkatërrohet rrjeti kriminal i shpërndarjes së drogës. Bosi, shqiptar

26/08/2016 10:10

Një operacion i përbashkët antidrogë ndërmjet Policisë Spanjolle dhe Policisë Shqiptare ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal të përbërë nga bullgarë dhe shqiptarë, të cilët merreshin me veprimtari kriminale në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike të forta.

Janë arrestuar në Spanjë 3 shqiptarë dhe një bullgar. Konkretisht: A.Q, 47 vjeç, A.D, 41 vjeç, dhe E.Sh, 27 vjeç, të tre shtetas shqiptarë. Si dhe P.D, 41 vjeç, shtetas bullgar. Janë sekuestruar 38 kilogramë heroinë e pastër, 8 kilogramë kokainë e pastër dhe 50 kilogramë përzierës. Gjithashtu, është shkatërruar një laborator që përdorej nga organizata kriminale për të përzier lëndën narkotike.

Rrjeti kriminal merrej me shpërndarje heroine në Barcelonë dhe Tarragona. Gjatë operacionit u krye kontrolli i disa banesave në Barcelonë, Gava, Rubi dhe Castelldefels. Castelldefels u raportua si rezidenca e të dyshuarit kryesor, i cili ishte dhe drejtuesi i grupit kriminal, një shtetas shqiptar mjaft i njohur për policinë spanjolle. Gjithashtu, u konfiskuan një sasi e konsiderueshme parash dhe 10 mjete të shtrenjta, pajisje të ndryshme elektronike dhe shumë dokumenta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA