Më shumë se 1500 amerikanë kaluan ilegalisht kufirin kanadez, por aksidentalisht dhe pa pasur synim që të emigronin në vendin fqinj. Qindra pushues amerikanë po pluskonin mbi ujërat e lumit Shën Kleir me dyshekë me ajër si pjesë e festës tradiconale që zhvillohet në Portin Huron.
Por pushuesit nuk kishin llogaritur mirë forcën e erës që i shtyu në bregun tjetër të lumit që ndan shtetin amerikan të Miçiganit me Kanadanë. Befas, në brigjet kanadeze të lumit u shfaqën qindra plazhistë të hutuar që pas aventurës aspak të këndshme mbi lumë nxituan që të hidheshin në breg.
Policia kanadeze e provincës së Ontarios tha se iu desh disa orë që të kthente pas në SHBA klandestinët e pavullnetshëm, ndërsa nuk kanë munguar as ndërhyrjet e Rojës Bregdetare për të shpëtuar disa prej tyre në nevojë. Si pjesë e festës së Portit Huron, qindra njerëz me mjete nga më të ndryshme pluskojnë mbi lumë dhe lejojnë rrjedhën që t’i marrë me vete.
Por këtë herë ndërhyri era e fortë që i hodhi në shtetin fqinj. Policia kanadeze tha se askush nuk mbeti i lënduar nga pushuesit dhe fatmirësisht askush nuk humbi. Autoritetet e Kanadasë gjithashtu thanë se pavarësisht shklejes së jashtëligjshme të kufirit, nuk arrestuan asnjë prej pushuesve amerikanë.
Top Channel