Majlinda Kelmendi: 4 vite që e mendoj medaljen e artë

14/08/2016 00:00

Majlinda Kelmendi mbërriti pasditen e të dielës në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, por këtë herë si kampione Olimpike në Xhudo. 25-vjeçarja u prit nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Kemi punuar shumë për të arritur këtë sukses që shumë shtete e kanë ëndërr për ta arritur. Realisht rruga për të arritur këtë sukses ka qenë shumë e vështirë, me shumë pengesa. Por shpresoj shumë që brezat e rinj nuk kanë për t’i pasur”, u shpreh kampionia olimpike në Xhudo, Majlinda Kelmendi.

“Është sukses tepër i madh i Kosovës. Është një dëshmi e punës së mrekullueshme, vetëmohuese të Majlindës, por edhe të trajnerit. Ju falenderoj të dyve për këtë fitore dhe dhuratë shumë të madhe që i bëtë Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ndërkohë trajneri i kampiones, Driton Kuka pohoi se pas dështimin në Londër, ai dhe sportistja e tij kanë menduar vetëm për medaljen e artë në Rio.

“Ku jemi kthyer prej Londrës, jemi kthyer me shpirt të ndrydhur, por të motivuar për punë. Për mua çdo medalje e Majlindës është e artë. Edhe pse tani e ka fituar medaljen e artë nuk them që nuk do të isha i kënaqur edhe me të bronztën”, shprehet ai.
Trajneri Kuka pohoi gjithashtu para nisjes për në Rio, ministri i sporteve i ka premtuar për ndërtimin e një qendre stërvitore për sportin e Xhudos në qytetin e Pejës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB