Lampard e Villa, spektakël në futbollin amerikan MLS

14/08/2016 00:00

Moti i keq e shtyu për më shumë se një orë sfidën e programuar mes New York City dhe Columbus Crew në futbollin amerikan MLS, por thuajse asnjë spektator nuk pranoi të braktiste stadiumin. E mesa duket kishin të drejtë.

Ajo çfarë panë të pranishmit në impiantin amerikan ishte një spektakël i vërtetë, me 6 gola të shënuara gjithsej, gjysma prej të cilave erdhën nga lojtarë të klasit botëror si Frank Lampard e David Villa.

Sulmuesi spanjoll David Villa shënoi dy herë në harkun e 9 minutave lojë, për t’i dhënë njujorkezëve një barazim të merituar, por pavarësisht se pati iluzione për një trepikësh të lehtë, skuadra satelite e Manchester Cityt në SHBA nuk mori maksimumin.

Përballja e Konferencës së Lindjes u zhbllokua nga mesfushori veteran anglez, Frank Lampard, pas një krosimi të Andrea Pirlos. Ky ishte goli i 9 në 10 ndeshje, një mesatare mbresëlënëse për atë që Europa e konsideronte tashmë një pensionist.

Justin Meram barazoi në minutën e 40, e më pas Ethan Finlay i dha avantazhin Columbus Crew, por finalja e sfidës ishte shpërthyese. David Villa përfitoi nga pasimet e shkëlqyera të Pirlos për t’i dhënë avantazhin Cityt, përpara se rezultati të barazohej përfundimisht në 3-3. New York City mbetet në krye të Konferencës së Lindjes, me 2 pikë më shumë se Toronto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB