Pushime evropiane për kryeministren britanike

13/08/2016 00:00

Fakti që u bë kryeministre nuk ndryshoi asgjë në portofolin e pushimeve të Theresa May-t. Shefja e Londrës, sikurse ka bërë 25 vitet e fundit, zgjodhi sërish alpet e Zvicrës për të kaluar pushimet 2-javore së bashku me bashkëshortin e saj Philipp.

Çifti është vizitor i rregullt i alpeve, pasi sikurse kryeministrja ka thënë më herët , ajo atje gjen paqen dhe qetësinë.
 
E apasionuar me modën e veçanërisht me këpucët, May tani që është me pushime, i ka zëvendësuar takat me çizme që janë të përshtatura për ecjen malore. Në një intervistë për “The Telegraph” në vitin 2007, Theresa May zbuloi pasionin e saj për ecjet e gjata. Ajo tha se me Zvicrën ishte njohur rastësisht. Ndërsa kishte nisur ecjen në këmbë me bashkëshortin, filloi ta tërhiqte si aventurë.

Pasi thotë se ka ecur thuajse në gjithë Zvicrën në këmbë, May i rekomandon njerëzit se ai është destinacion i shkëlqyer për pushime. “Pamjet janë spektakolare dhe ajri është i pastër”, e mbyll ajo. Theresa May, në vizitën e parë zyrtare në Berlin si kryeministre, i dhuroi kancelares Angela Merkel dy libra dedikuar ecjes në këmbë në zonat malore. Pushimet e saj vijnë vetëm një muaj pasi mori në dorë lidershipin e Britanisë së Madhe, pas dorëheqjes së David Cameron.

Ky i fundit, së bashku me bashkëshorten Samantha, çdo vit i ka kaluar pushimet pranë detit, duke zgjedhur të shijojë në mënyrë tradicionale aromën e stinës së verës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB