Turqi, spastrimi “antigylenist” prek të tjera organizata mediatike

28/07/2016 00:00

Autoritetet turke kanë njoftuar mbylljen e dhjetëra organizatave mediatike, si pjesë e spastrimit të vijueshëm që prej dështimit të përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik. Konkretisht, 3 agjenci lajmesh, 16 televizione, 45 gazeta dhe 15 revista janë urdhëruar të mbyllen.

Veç kësaj, edhe afro 1.700 anëtarë të tjerë të Forcave të Armatosura, përfshi këtu 149 gjeneralë dhe admiralë janë shkarkuar nga puna.

Qeveria pretendon se kleriku mysliman që jeton në Amerikë, Fethullah Gulen fshihet pas përpjekjes së një pjese të ushtrisë për grusht shteti, një akuzë që ai e mohon. Të paktën 246 njerëz humbën jetën gjatë atyre orëve paniku dhe përpjekje të dështuar për grusht shteti, ndërsa më shumë se 2.000 të tjerë u plagosën.

Mbyllja e medieve dhe shkarkimi i anëtarëve të tjerë të FA-ve u njoftuan përmes gazetës qeveritare në Turqi, “Resmi Gazete”. Emrat e organizatave mediatike ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por disa media lokale thonë se, edhe pse shumica janë relativisht të vogla e provinciale, disa të përditshme të tjera dhe agjenci me audiencë kombëtarë janë shënjestruar gjithashtu.

Mes të shkarkuarve nga Forcat e Armatosura janë 87 gjeneralë ushtrie, 30 gjeneralë të Forcave Ajrore, si dhe 32 admiralë. Më herët gjatë së mërkurës, autoritetet urdhëruan burgosjen e 47 gazetarëve, vetëm pak ditë pasi urdhërarrestet ishin lëshuar për 42 reporterë.

Shumica e këtyre në këtë “listë të re” janë anëtarë të gazetës tashmë jofunksionale “Zaman”. Ushtria turke bëri të ditur gjithashtu se 8.651, apo rreth 1.5% e Forcave të Armatosura të kombit turk morën pjesë në grushtin e dështuar të shtetit. Sipas saj, komplotuesit morën në zotërim 35 avionë, 37 helikopterë, 74 tanke dhe 3 anije.

Spastrimi “antigylenist” pritet të vazhdojë, edhe përpara një takimi tepër të rëndësishëm të Këshillit Suprem Ushtarak.

Ndërkohë, Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar bisedime me udhëheqësit e opozitës, me partitë Republikane dhe Nacionaliste. Ata e kanë paralajmëruar atë të mos e çojë kaq larg fushatën e spastrimit, megjithatë nuk kanë përcaktuar nëse ky “kufi i tepërt” është arritur. Presidenti Erdogan është angazhuar se do të pastrojë vendin nga “virusi” që shkaktoi revoltën.

Top Channel