
Autoritetet turke kanë lëshuar këtë të mërkurë mandatarreste për 47 ish-drejtues apo gazetarë të njohur të gazetës “Zaman”, të cilët akuzohen si të lidhur me klerikun mysliman që jeton në SHBA, që konsiderohet prej Erdoganit si personi që fshihet pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik në Turqi.
Të paktën një gazetar, ish-analisti i “Zaman”-it, Sahin Alpay është vënë nën pranga në orët e para të mëngjesit të sotëm në shtëpinë e tij, siç raporton agjencinë shtetërore të lajmeve “Anadolu”. “Zaman”, e cila ka qenë e lidhur me lëvizjen fetare të Fethullah Gulenit, u bastis nga policia dhe u sekuestrua nga qeveria në mars të këtij viti, si pjesë e një fushate të egër goditëse ndaj këtij grupi.
Më herët gjatë kësaj jave, udhërarreste janë lshuar edhe ndaj 42 gazetarëve të tjerë, prej të cilëve 16 janë çuar në paraburgim, ku janë marrë në pyetje.
Turqia ka arrestuar më shumë se 13 mijë persona të lidhur me ushtrinë, drejtësinë dhe institucione të tjera, në atë që konsiderohet si “spastrim” i paramenduar pas dështimit të grushtit të shtetit. Dhjetëra mijëra punonjës të tjerë të administratës shtetërore, të cilët dyshohen gjithashtu si të lidhur me Gulenin, janë pezulluar nga vendet e tyre të punës, përfshi këtu ata në sektorët e edukimit, kujdesit shëndetësor, administratave lokale, madje edhe në linjat ajrore turke.
Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara dhe drejton një rrjet global shkollash dhe fondacionesh, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për organizim të grushtit të shtetit, madje thotë se as nuk ka pasur dijeni për të.
Arrestimi i gazetarëve dhe spastrimet në shkallë të gjerë të zyrtarëve turq kanë shtuar shqetësimet mbi një “gjueti shtrigash” pas asaj tentative të dështuar për grusht shteti, si pasojë e të cilës humbën jetën 290 njerëz.
Top Channel