Kaos, krim dhe korrupsion në Rio; Lojërat mes problemeve

27/07/2016 00:00

Asnjëherë më parë nuk ka patur kaq shumë probleme dhe diskutime në startin e një Olimpiade, madje as për lojërat e vitit 2004 kur Lojërat u rikthyen në Greqi.

Duket se Rio de Zhaneiro po kalon çdo parashikim dhe se kritikat e delegatëve që kanë vizituar facilitetet ishin vetëm maja e ajsbergut. “The Guardian” ka renditur 4 probleme kryesore me të cilët ballafaqohen turistët dhe atletët elitarë për evenimentin që nis në 5 gusht në Brazil, e që me të gjitha gjasat nuk do të jenë të vetmet.

Çdo gjë mund të harrohet nëse çdo sportist do të kishte sigurinë për të shëtitur në çdo zonë të qytetit unik brazilian, por ky nuk është rasti i Rio de Zhaneiros.

Grabitje të çfarëdolloj mënyre shihen nga ora në orë në rrugët e kryeqendrës olimpike të botës këtë verë, madje autoritetet kanë denoncuar plane konkrete të bandave për të synuar turistët. Në gjysmën e parë të vitit janë raportuar 14 vrasje në ditë në Rio de Zhaneiro, ndërsa vetëm në muajin maj, kishte gati 10 mijë grabitje të raportuara, cka lë të kuptojë se numri në total është shumë më tepër e kaq. 85,000 ushtarë dhe policë që do të patrullojnë pas pak ditësh, duket se nuk ofrojnë sigurinë e duhur.

Trafiku në Rio është sfidues edhe kur nuk e ka vëmendjen e botës, e nëse kësaj i shtohet fluksi i delegacioneve dhe vizitorëve, kaosi në transport bëhet vërtet apokaliptik. Shumë linja autobusësh dhe shtimi i mbulimit me metro supozohej se do të ndihmonin por projekti është shtyrë disa herë, dhe nuk do të inaugurohet deri në 1 gusht.

Kush mungonte në apelin e alarmit ishte uji me një ndotje ekstreme, që rrezikon seriozisht jetën e atletëve që do të garojnë në det të hapur. Studime të njëpasnjëshme kanë treguar dhjetëra viruse dhe baktere që mund të jenë fatale, jo vetëm për disiplinat e notit, kanos apo garave me vela.

Ndërkohë edhe pse ka rënë numri i rasteve me virusin Zika, ky mbetet një kërcënim real për cilindo që do të vizitojë Rio de Zhaneiron. Nga 17 mijë raste në muajin Shkurt, numri ka rënë në 2 mijë në fundin e majit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA